Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për mashtrim me shitblerjen e një prone

I akuzuari F.S, nuk e ka pranuar fajësinë për veprën penale mashtrimi.

Deklarimin për mos fajësinë e tij i akuzuari F.S. e bëri të martën, gjatë seancës së shqyrtimit gjyqësor në Gjykatën Themelore në Gjilan dega në Viti, raporton “Betimi për Drejtësi

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Huma Jetishi, i akuzuari F.S. nuk e ka pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën ngarkohet nga prokuroria.

Para fillimit të shqyrtimit gjyqësor, gjykatësi i çështjes Nexhat Aliu ka njoftuar palët se mungon i dëmtuari në cilësinë e dëshmitarit P.I., i cili nga seanca e kaluar e ka njoftuar gjykatën se jeton në Gjermani dhe nuk do të mund të marrë pjesë në këtë seancë.

Tutje, shqyrtimi gjyqësor ka vazhduar me fjalën hyrëse të prokurores Jetishi, e cila tha se dyshimin e bazuar mirë se i pandehuri e ka kryer këtë vepër penale e ka të mbështetur në të gjitha provat të cilat i janë bashkangjitur aktakuzës, andaj dhe i propozoi gjykatës që të njëjtat të shtjellohen gjatë këtij shqyrtimi si dhe të dëgjohen të gjithë dëshmitarët e propozuar në akuzë.

Edhe përfaqësuesi i të dëmtuarit P.I, avokati Visar Musa në fjalën hyrëse të tij tha se mbështet fjalën hyrëse të prokurores, ku me shtjellimin e provave do të vërtetohet përgjegjësia penale e të akuzuarit.

Ndërsa i akuzuari F.S, i ka deklaruar se fjalën hyrëse do ta paraqes në mënyrë gojore, ku ka kërkuar që prezent duhet të jetë vet i dëmtuari në cilësinë e dëshmitari pasi që dëshiron të ballafaqohet me të.

Në këtë fazë të procedurës, prokurorja Jetishi ka propozuar që në cilësinë e dëshmitarit të dëgjohet edhe i dëmtuari P.I, pasi që deklarata e tij është shumë e rëndësishme për zbardhjen e kësaj çështje.

Ndërsa, përfaqësuesi i të dëmtuarit avokati Visar Musa ka kundërshtuar propozimin e prokurores duke, thënë se i dëmtuari ka qenë prezent edhe e ka njoftuar gjykatën mirëpo atë seancë ka qene e pamundur dhënia e deklaratës.

Ai shtoi se në shkresat e lëndës gjendet deklarata e të dëmtuarit në cilësi të dëshmitarit e cila i plotëson kushtet ligjore që e njëjta të administrohet si provë, pasi që lënda është afër parashkrimit dhe në fund do ti pamundësohet të dëmtuari marrja e mbrojtjes ligjore.

Gjyqtari Aliu, ka aprovuar propozimin e prokurores Huma Jetishi që si dëshmitar të dëgjohet i dëmtuari P.I, nën rrethanat e propozuara.

Në mungesë të kushteve ligjore është shty seanca e sotme dhe e radhës është caktuar me datë 21 shtator 2022.

Ndryshe, në seancë kanë prezantuar edhe tre dëshmitarët e ftuar.

Sipas aktakuzës së ngritur më 20 nëntor 2017, thuhet se, më 18 korrik 2017 në kohë të pacaktuar në Viti, i pandehuri F.S, duke i fsheh faktet e vërteta dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veti apo për tjetrin e ka mashtruar te dëmtuarin P.I, në atë mënyrë që i pandehurit pa asnjë marrëveshje, pa vullnetin dhe pëlqimin e të dëmtuarit, lokalin që la kishte shitur më herët te dëmtuarit në vlerën 36.000 euro, të vërtetuar te noteri më datë 22.07.2017 në sipërfaqe prej 40m2, në njësinë kadastrale me nr.0-70101007-1989-9-74-1 pjesë e ndërtesës, me shfrytëzim shtëpi e evidentuar sipas certifikatës nr.3190/2015, pa paralajmërim e duke e shfrytëzuar mungesën e të dëmtuarit i cili jeton dhe punon në Gjermani, e shet për herë te dytë shtëpinë me gjithë lokal H.I. nga fshati Lubishtë.

Siç thuhet në aktakuzë në këtë mënyrë të dëmtuarit i ka shkaktuar dem material në vlerë prej 36.000euro.

Me këtë i pandehuri F.S, ka kryer veprën penale “Mashtrimi” nga neni 335 paragrafi 2 të KPRK-së/BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.