Musa Damati

Deklarohet avokati i Pal Lekajt, e quan skandaloz vendimin për dënimin e tij

Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, është dënuar me 3 vjet e tetë muaj burgim për rastin e ndarjes së 53 milionë eurove shtesë konsorciumit “Bechtel-Enka” për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”.

Ai është dënuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare e dëmtim me dashje të buxhetit të shtetit.

Avokati i Pal Lekajt, Musa Damati ka thënë se vendimi i sotëm dënues për Pal Lekajn  është skandaloz.

Damati njofton se do të apelojnë këtë vendim në Gjykatën e Shkallës së Dytë.

“Nuk mund ta konsiderojmë ndryshe veçse skandaloz vendimin e shkallës së parë, të njëjtin do ta apelojmë më shkallën e dytë dhe bindja jonë është se do të pësojë ndryshime në favorin tonë” ka thënë avokati Damati.

Ditën e sotme Gjykata e Prishtinës ka dënuar në total me 10 vjet e 7 muaj burgim të akuzuarit Pal Lekaj, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri për rastin e njohur si “53 milionëshi”, shkruan reporter.

Ish-ministri Pal Lekaj u dënua me 3 vite e 8 muaj burgim, ish-këshilltari i tij politik, Eset Berisha u dënua me 3 vite e 3 muaj burgim, derisa ish-Sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës, Nebih Shatrin dhe ish-drejtorin e prokurimit publik, Besim Tahiri, Gjykata i dënoi me nga 1 vit e 8 muaj secilin.

Prokuroria Speciale më 4 shkurt të vitit 2022 kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-ministrit të Infrastrukturës Pal Lekaj, këshilltarit të tij politik Eset Berisha dhe Sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës, Nebih Shatrit dhe Besim Tahirit, lidhur me ekzekutimin e 53 milionë eurove për kompaninë “Bechtel-Enkës” e cila ishte kontraktuar për ta ndërtuar autostradën “Arbën Xhaferi”.

Sipas aktakuzës, Pal Lekaj, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri me dashje i kanë tejkaluar kompetencat e tyre dhe nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare me datë 29 shatator të vitit 2017.

Sipas prokurorisë keqpërdorimi ka ndodhur në momentin kur të lartcekurit kanë nënshkruar marrëveshjen për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve për 347 ditë të tjera, për autostradën “Arbën Xhaferi” apo e njohur si R6.

LEXO EDHE:

BONUS VIDEO: Rasti ’53 milionëshi’, Pal Lekaj dënohet me 3 vite e tetë muaj burgim