Të pandehurit për vjedhjen e një shishe alkooli në Gjilan, Gazmend Arifi dhe Leutrim Halili, janë deklaruar të pafajshëm në seancën e së hënës, në Gjykatën Themelore në Gjilan.
Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Agron Uka dhe njoftimit me të drejtat e tyre nga gjykatësi Sabedin Mushica, të akuzuarit deklaruan se në tërësi e kuptojnë veprën penale për të cilën ngarkohen dhe se ndjehen të pafajshëm.
“Nuk e pranoj fajësinë për veprën penale ngase nuk ka qenë ashtu siç e lexoi prokurori aktin akuzues, por është e vërtetë se shishen e pijes alkoolike e kam marrë me vete”, deklaroi i pandehuri Arifi.
Meqenëse të pandehurit nuk e kanë pranuar fajësinë, gjykatësi Mushica i ka njoftuar të njëjtit se kanë të drejtë të bëjnë kërkesë për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, deri më 1 mars 2021.
Prokuroria Themelore në Gjilan, më 17 dhjetor 2013, ka ngritur aktakuzë kundër Gazmend Arifit dhe Leutrim Halilit, me arsyetimin se me 4 nëntor 2013, rreth orës 11:30 minuta, në Gjilan, në rrugën “Medllin Ollbrajt”, saktësisht te kompleksi “Viva Fresh”, me përdorimin e forcës apo kanosjes serioze për ta sulmuar jetën apo trupin e personit tjetër e përvetësojnë pasurinë e luajtshme të personit tjetër, me qëllim që vetes apo personit tjetër t’i sjellin dobi pasurore, në atë mënyrë që i pandehuri Gazmend, te raftet e pijeve alkoolike, në katin e parë, në mënyrë tinëzare merr një shishe të alkoolit “Xhek Daniels” dhe e fut nën jelekun e veshur që mos të vërehet, ndërsa i pandehuri Leutrim bënë roje gjersa e vjedh shishen e alkoolit i dyshuari Gazmend.
Gjithnjë sipas aktakuzës, të dy të pandehurit duke dalë jashtë lokalit, menaxherit i lokalit, Selajdin Salihu i ndalë dhe i thotë të pandehurit Gazmend që ta kthejë shishen e alkoolit, mirëpo të njëjtit duke refuzuar dhe u shtyrë në mënyrë fizike me punëtorin e sigurimit, i pandehuri Gazmend nxjerr nga xhepi një thikë, e lëshon shishen në tokë dhe me thikë në dorë e sulmon punëtorin e sigurimit duke e ndjekur dhe në ndërkohë i thotë të pandehurit Leutrim që ta merr shishen e alkoolit dhe të ikin, ku ky i fundit e merr atë nga toka dhe së bashku me të pandehurin Gazmend ikin në drejtim të panjohur nga lokali i “Viva Fresh”.
Me këto veprime, ata në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “vjedhje grabitqare”, nga neni 328 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.







