Deklarohen të pafajshëm dy teknikët e radiologjisë të akuzuar për korrupsion

Dy teknikët e radiologjisë – Albert Deda dhe Ismet Veliu – janë deklaruar të pafajshëm për korrupsion se kanë dëmtuar buxhetin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës me 202 euro.

Deklarimi i dy të akuzuarve është bërë të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Deda dhe Veliu po akuzohen se në cilësi të teknikëve të Radiologjisë në Repartin e Klinikës së Radiologjisë, kanë marrë dhjetë flakona kontrast jojonik nga 100 mililitra, me ç’rast kanë dëmtuar buxhetin e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar (SHSKUK) në vlerë prej 202 euro.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurores Bukurie Gjonbalaj, Deda dhe Veliu janë deklaruar të pafajshëm për veprën që iu vihet në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nuk ndihem fajtor për veprën penale me të cilën akuzohem”, tha i akuzuari Deda.

Ndërsa i akuzuari Veliu tha se ndjehet plotësisht i pafajshëm.

Pas kësaj, gjyqtarja e rastit Medie Bytyqi njoftoi të akuzuarit me të drejtën për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës në afatin prej 30 ditësh.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 23 shkurt 2021, të akuzuarit Deda dhe Veliu po akuzohen se në cilësinë e teknikëve të Radiologjisë në Repartin e Klinikës së Radiologjisë në SHSKUK-së ku ishin përgjegjës të çelësave, kanë marrë dhjetë flakona kontrast jojonik nga 100 mililitra, me ç’rast kanë dëmtuar buxhetin e SHSKUK-së 202 euro që t’i sjellin vetes apo tjetrit përfitim pasuror të kundërligjshëm.

Me këtë, Deda dhe Veliu po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, vepër kjo e dënueshme me burgim prej një deri në tetë vjet.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.