Deklarimet se përplasjet në LDK po i shkaktojnë partitë e tjera, shqetësuese e absurde

Për analistët, situata aktuale në LDK, ku po plasin përleshje për karrige, është pasojë e një gare të ashpër për kreun e partisë.

Madje, sipas tyre, kjo situatë dobëson tendencën për ta rrezuar nga pushteti PAN-in.

Nga ana tjetër, edhe Imer Mushkolaj edhe Artan Muhaxhiri, thonë se është absurde që LDK-ja të deklarojë se konfliktin brenda po e shkaktojnë partitë e tjera.

“Përleshjet kanë filluar qysh në nëndegë dhe paramendo se çfarë do të ndodhë derisa të mbahet Kuvendi qendror ku do të marrin pjesë qindra delegatë. Nga LDK-ja kemi dëgjuar të thonë se përleshjet e tilla po i shkaktojnë njerëz që nuk janë fare në LDK. Kjo është shqetësuese për shkak se LDK si një parti e madhe, nuk po është ë gjendje t’i menaxhojë madje as kuvendet e nëndegëve”, ka thënë Mushkolaj.

që po shohim është që të largohet fajësia prej vetes, mirëpo kjo është absurde, sepse nëse LDK-ja është kaq e paaftë që t’i parandalojë edhe ndikimet e jashtme në turbullimin e situatës në parti atëherë ajo nuk do të jetë e aftë ta bëjë këtë as nëse eventualisht vjen në qeveri”, ka thënë Muhaxhiri.

Kujtojmë se e diela e 16 qershorit ka rikthyer skenat e kuvendit të karrigeve të 2006-ës në LDK.

Delegatët e lagjes Mati, pjesë e degës së tretë të LDK-së në Prishtinë, e njohur si dega e presidentit Ibrahim Rugova, janë përleshur mes vete deri aty kur nisi edhe gjuajtja me karrige. Por, ky tension ishte vazhdimësi e tensioneve të krijuara ditë më parë në po të njëjtën degë.

Kjo ka alarmuar Lidhjen Demokratike të Kosovës, kryesia e së cilës, gjatë ditës, u mblodh në një takim të jashtëzakonshëm.

Isa Mustafa e mblodhi kryesinë për të diskutuar situatën e krijuar në zgjedhjet e brendshme të partisë, meqë të tilla probleme tash e një kohë ka në shumë komuna të Kosovës.

Kështu njëjtë përplasje ka pasur edhe në Mitrovicë e Ferizaj, por që njerëzit e partisë akuzuan strukturat e SHIK-ut për ndërhyrje.

Edhe sot, LDK-ja thotë se të dielën në Mat incidentet erdhën nga njerëz të një partie tjetër.

Por, LDK-ja, në mbledhjen e jashtëzakonshme, ka vendosur që Arban Abrashi e Hazir Borovci, që janë ndarë në dy grupe për të marrë degën e tretë të LDK-së, të tërhiqen nga gara, në mënyrë që t’u kthehet normaliteti zgjedhjeve brenda partisë.

Hazir Borovci ndërkaq këtë e ka quajtur shtyrje normale që ndodh në një shtëpi të madhe, siç e quan ai LDK-në.