Deklaratat antishtetërore nga Presidenca dhe partia Guxo | Si po e bëjnë Gjykatën Kushtetuese të Kosovës një institucion ku mund të ndikojë Serbia?

Një lajm i publikuar nga mediat në Kosovë, i mbështetur në burime brenda Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit mund të kontestohet procedura e votimit për zgjedhjen e presidentes Vjosa Osmani, ka shfrenuar gjuhën e zyrtarëve të kabinetit të saj, derisa shefja e shtetit ka qëndruar e heshtur.

Me apo pa vetëdije, shefi i kabinetit të presidentes Osmani, Blerim Vela, e ka bërë Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës si një institucion në të cilin mund të ndikojë Serbia, shkruan Demokracia.com.

Pse duket kështu?

Vetëm pak orë pas publikimit të lajmit “Skena politike në ethe, vendimi i Kushtetueses mund të rrëzojë presidenten Osmani”, ka ngjallur reagimin e ashpër të Velës. Ai e ka konsideruar këtë lajm si ‘dezinformatë’, ‘propagandë’, ‘pjesë e luftës speciale të realizuar sipas skemës së përgatitur nga Beogradi’ dhe ‘të realizuar përmes kriminelëve të tyre, të cilët ndodhen në listën e zezë të ShBA-ve’.

“GjK është institucion i pavarur, e cila ka detyrim të qartë ligjor për të ruajtur integritetin e vendimmarrjes gjyqësore. E kemi plotësisht të qartë se dezinformatat dhe propaganda që bëhet gjoja duke u thirrë “në burime brenda Gjykatës”, janë pjesë e luftës speciale të realizuar sipas skemës së përgatitur nga Beogradi dhe të realizuar përmes kriminelëve të veriut dhe sekserëve të tyre, të cilët ndodhen në listën e zezë të ShBA-ve”, cicëroi Vela në twitterin e tij, më 30 mars 2023.

Por, a e ka menduar mirë Vela se çka do të thotë kjo deklaratë nëse Gjykata Kushtetuese e Kosovës shpall një Aktgjykim përmes të cilit do t’i jepej e drejtë dy kandidatëve për deputetë, Veton Berishës dhe Albert Kinollit, duke shpallur jolegjitim dy deputetët që u bënë deputetë me vota në ato komuna ku nuk kanë votues të regjistruar të komunitetit të tyre?

Nëse Gjykata Kushtetuese shpall jolegjitim dy deputetët që morën pjesë në votimin për zgjedhjen e presidentes Osmani, a do të thotë kjo se ky institucion i pavarur kushtetues dhe i Republikës së Kosovës është në ndonjë formë pjesë e luftës speciale të realizuar sipas skemës së përgatitur nga Beogradi?

Me pak fjalë, çka do të thotë kjo deklaratë nëse Gjykata Kushtetuese e konfirmon me Aktgjykim lajmin e publikuar në mediat në Kosovë?

Natyrisht se këto janë pyetje të rënda për nivelin e papërgjegjshmërisë së Velës dhe zor se ai mund të përgjigjet për ndikimin negativ që mund të sjellin deklaratat skandaloze dhe të pamatura kundër institucioneve të Republikës së Kosovës, sidomos kur ato vijnë nga një adresë e rëndësishme shtetërore si Presidenca e Republikës së Kosovës.

Këto pyetje mund të jenë të rënda edhe për presidenten Vjosa Osmani, e cila toleron dhe hesht përballë deklaratave të tilla të zyrtarëve të emëruar dhe përzgjedhur nga ajo. Presidentja Osmani, me heshtjen e saj po i konfirmon sulmet mbi mediat e vendit dhe mbi një institucion të pavarur shtetëror si Gjykata Kushtetuese.

Sikur të mos mjaftonte kjo deklaratë skandaloze, njerëzit tjerë të afërt me presidenten Osmani, kanë vazhduar me qasjen e njëjtë.

Edhe njëri nga dy kryetarët e partisë Guxo, Faton Peci, aktualisht ministër i Bujqësisë, këtë lajm e ka parë si pjesë të një skenari për destabilitet institucional dhe që mund të vijë edhe nga jashtë Kosovës.

“Me këtë skenar synohet të krijohet një destabilitet institucional në Kosovë dhe lidhet me marrëveshjen e fundit në Ohër. Kjo marrëveshje nuk është e shkëlqyer, siç tha Kryeministri, por Beogradi zyrtar është në një ngërç. Ky skenar mund të vijë edhe nga jashtë Kosovës. E thashë, atje ekziston një ngërç i madh në Serbi. Nuk ka vullnet te pala serbe që të zbatohet kjo marrëveshje”, ka deklaruar Peci, të premten vonë në T7.

Është e çuditshme se si zyrtarët e lartë shtetërorë, një lajm të mbështetur në burime brenda Gjykatës Kushtetuese, e ndërlidhin me një skenar të mundshëm të Serbisë, kur saktësia apo pasaktësia e lajmit do të mund të vërtetohet shumë shpejt me shpalljen e Aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese.

Pra, është një institucion i Republikës së Kosovës (Gjykata Kushtetuese) që do të vendos dhe shpall Aktgjykimin.

Këto Aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese janë pranuar çdoherë nga drejtues shtetërorë të Kosovës, me përjashtim të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila në rastet kur ato nuk kanë qenë në përputhje me kërkesat e saj politike, i ka kundërshtuar dhe demonizuar ato. Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë pranuar Aktgjykimin e Kushtetueses për Asociacionin, por jo edhe për moskandidimin në zgjedhje të personave të dënuar për vepra penale, që e kishte lënë jashtë zgjedhjeve atë.

Përveç anës skandaloze të përmbajtjes së deklaratave të Velës dhe Pecit, mbetët të shihet nëse do të konfirmohen raportimet e mediave dhe nëse këto reagime të ashpëra janë paralajmërime që Vjosa Osmani do ta shpërfillë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.