Deklarata e Sallahut për ‘vajin në tepsi’, Gashi: Kurrë s’ka pasë njerëz e program në VV

Analisti politik, Shkëlzen Gashi, ka kritikuar Qeverinë Kurti për mungesë të njerëzve profesionistë dhe programit.

Pas deklaratës së zëvendësministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, i cili përdori një shprehje të pazakontë për të përshkruar shpejtësinë e punës së Ministrisë së Drejtësisë, duke thënë “si vaji në tepsi”, Gashi tha se shumica e ministrave në kabinetin e Kurtit janë të tillë.

“Kush është ky njeri, çka ka punuar për t’u bërë zëvendësministër, cili është suksesi i tij?”, ishte komenti i Gashit në Pressing të T7 për deklaratën e Sallahut.

Gashi tregoi edhe për përvojën e tij sa ishte në Vetëvendosje, duke thënë se gjithmonë ka pasë mungesë të profesionistëve.

“S’ka pasë kurrë njerëz aty, për besë, s’ka pasë ekip dhe s’ka pasë kurrë program. Programet gjithë kanë qenë përmbledhje të akuzave për qeverisjet e këqija, katastrofale për këto dy dekada. Kur ekip s’ka mundur të krijohet aty, kurrë s’janë identifikuar problemet, kurrë s’janë dhënë propozime për zgjidhjet e tyre edhe kurrë s’është thënë se këta persona do të merren me këtë problem. Për këtë, mua gjithë më ka shqetësuar kjo punë”.

Analisti Gashi ka kritikuar edhe ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, se ka mungesë përvojash e njohurish për t’u emëruar në postin që mban tani.

“S’kam pritur që bëjnë ndryshe sepse me këta ka qeverisur në Prishtinë. Pse e bën ministre të Arsimit Arbërie Nagavcin? Çka ka bërë kjo më herët? Kjo e ka udhëhequr shkollën fillore “Mustafa Bakija”  në Gjakovë. Ai ishte e suksesshme ajo aty që me e bë drejtoreshë për Arsim në komunë të Prishtinës në kryeqytet? Mandej, a ishte e suksesshme në komunë të Prishtinës me e bë ministre të Arsimit”.

Por, cila është arsyeja që kryeministri Kurti i emëron këta emra nëpër poste, sipas Gashit.

“Ndoshta janë të dëgjueshëm. Edhe njerëzit që janë më me integritet profesional dhe moral ndoshta edhe nuk shkojnë. Shumica e ministrave janë kështu dhe s’mundësh me pritë ndryshim këtu. Këta nuk janë e ardhmja, por tranzicioni. Nuk ka bërë pa i votuar e mbështetur me mish e me shpirt, gjë që e kam bërë unë, për me i rrëzuar ata që kanë sunduar për 20 vjet”.

Gashi tha se Vetëvendosje s’ka lejuar krijimin e një partie opozitare të mirëfilltë, sepse “e ka zënë rendin aty edhe s’e lëshojke”.