Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka akuzuar autoritetet e Kosovës se po nxisin tensione ndëretnike me veprimet e fundit teksa ka përmendur edhe mundësinë e mosmbështetjes amerikane për Kosovën në arenën ndërkombëtare.
Hovenier ka shkruar të shtunën në mbrëmje se këto veprime janë duke rritur në mënyrë të panevojshme tensionet ndëretnike.
“Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është thellësisht e shqetësuar për veprimet e fundit të autoriteteve të Qeverisë së Kosovës që kanë ndikim direkt dhe negativ në pjesëtarët e etnisë serbe dhe minoritetet tjera në Kosovë. Këto veprime janë duke rritur në mënyrë të panevojshme tensionet ndëretnike dhe si pasojë kufizojnë opsionet që Shtetet e Bashkuara të shërbejnë si avokuese efektive për Kosovën në arenën ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e Hovenierit, të publikuar të shtunën në platformën “X”.
Hovenier ka përmendur çështjen e mbylljes së objekteve të “institucioneve të administruara nga Serbia” në Dragash, Pejë, Istog e Klinë dhe zyrën e një organizate joqeveritare në Prishtinë. Po ashtu ka thënë se SHBA-ja është e shqetësuar për konfiskimin e dinarëve serbë dhe një veture që po bartte mjetet për t’i shpërndarë pagesat nga Serbia.
“Ne presim që autoritete e Kosovës të sigurojnë se individët për të cilat ishin të dedikuara këto pagesa sociale, t’i marrin pa vonesa”, ka deklaruar Hovenier duke shtuar se Qeveria e Kosovës ka përgjegjësi për shqetësimet e të gjithë qytetarëve.
Ai ka thënë se çështja e strukturave serbe duhet të përfshihen në dialog.
Hovenier shprehu drojën për tensione edhe ditë më parë. Sipas tij, rregullorja e BQK-së që ndalon dinarin serb, rrezikon të nxisë tensione të reja. Në anën tjetër, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka dhënë garanci se situata nuk do të dalë jashtë kontrolli si pasojë e ndalimit të dinarit serb.
Pas deklaratës së Hovenier ka reaguar edhe zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano duke thënë se BE-ja është shqetësuar me operacionet e Policisë së Kosovës gjatë kësaj jave në zyrat e institucioneve të drejtuara nga Serbia në komunat Dragash, Pejë, Istog e Klinë.
Stano ka thënë se BE është e shqetësuar edhe me operacionin që ndodhi në objektin e organizatës joqeveritare Qendra për Paqe dhe Tolerancë në Prishtinë.
Kujtojmë se ditëve të fundit, autoritetet e Kosovës kanë mbyllur objekte të strukturave ilegale serbe në disa komuna.
VIDEO BONUS: Aksioni kundër strukturave serbe, Sveçla: Janë mbyllur tri komuna ilegale në Pejë, Klinë dhe Istog







