Deklarata e Agim Bahtirit se do të jetë kryetar i “Mitrovicës së Bashkuar” trazon Serbinë
Në Serbi po shihet si provokim deklarata e kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahriti, dhënë pikërisht sot në Ditën e Flamurit.
“Bahtiri ka thënë se mund ta marrë kontrollin në tërë qytetin, përfshirë edhe Mitrovicë Veriore dhe të jetë kryetar i Mitrovicës së Bashkuar”, e citojnë mediat serbe Bahtirin.
Sipas Tanjugut, Mitrovica është ndarë pas bombardimeve të NATO-s në vitin 1999 në pjesën veriore ku jetojnë kryesisht serbët, dhe në atë jugore, ku jeton popullësia shqiptare, shkruan Ballkani.info.
Qytetin e ndanë lumi Ibër, ndërsa e lidh ura, e cila njëkohësisht është shndërruar edhe në simboll të ndarjes së qytetit.
Komuna e Mitrovicës veriore është formuar në bazë të ligjit që e ka nxjerr Kuvendi i Republikës së Kosovës për kufijtë administrativ të komunave, në shkurt të vitit 2008.
Kjo komunë është krijuar në bazë të Planit të Ahtisaarit për decentralizim në Kosovë dhe është dashur të jetë komunë me shimicë serbe në territorin e Komunës së Mitrovicës.
Komuna është konstituar në nëntor të vitit 2013 kur edhe serbët për herë të parë kanë marrë pjesë në zgjedhjet e organizuara nga Institucionet e Republikës së Kosovës.
“Komuna e Mitrovicës së veriut nuk ekziston sipas Ligjit për organizim territorial të Serbisë i vitit 2007, por Qeveria e Serbisë e ka mbështetur daljen në zgjedhje dhe formimin e kësaj komunë sipas ligjeve të Kosovës”, shkruan tanjug.
Sipas kësaj agjencie, në Mitrovicën e jugut jetojnë rreth 110 mijë banorë, kryesisht shqiptar, ndërsa në atë veriore rreth 20 mijë, kryesisht serbë, por llogaritet të jenë edhe 3000 shqiptarë. /Ballkani.info/