Dejan Pantiq

Dejan Pantiq lirohet nga arresti shtëpiak me 30 mijë euro dorëzani

Dejan Pantiq, ish zyrtari policor i dyshuar për sulm me mjete shpërthyese në zyrat e KQZ – së, është liruar nga arresti shtëpiak.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Sipas saj, gjykata nuk ka pranuar kërkesë për vazhdimin e arrestit shtëpiak nga ana e PSRK-së.

Gashi theksoi se D.P është liruar përmes deponimit të dorëzanisë në shumën prej 30 mijë euro.

“Referuar kërkesës tuaj për informata lidhur me rastin e të pandehurit D.P, ju njoftojmë si në vijim me përgjigjen të cilën e kemi pranuar nga gjyqtari i kësaj çështje penale:

Ju njoftojmë se gjykata nuk ka pranuar kërkesë për vazhdimin e arrestit shtëpiak nga ana e PSRK-së.

Mirëpo, me datën 04.09.2023 nga mbrojtësi i të pandehurit D.P av.Ljubomir Pantovic, gjykata ka pranuar kërkesën për zëvendësimin e masës së arrestit shtëpiak me masën e dorëzanisë, ashtu që me datën 05.09.2023 gjykata nga Prokurori i Shtetit nga PSRK ka pranuar parashtresën-pëlqimin me të cilën ka propozuar që masa e arrestit shtëpiak kundër të pandehurit D.P të zëvendësohet me masën e dorëzanisë sipas nenit 177 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 dhe 1.2 të KPP-së, pas deponimit të shumës prej 30.000.00 Euro.

Gjykata Themelore Prishtinë – Departamenti Special, me aktvendimin numër PPPS.nr.63/22, me datë 06.09.2023 ndaj të pandehurit D.P ka aprovuar kërkesën e mbrojtësit, ashtu që ka zëvendësuar masën e arrestit shtëpiak me masën e dorëzanisë, duke caktuar dorëzaninë ndaj të pandehurit D.P, në shumën prej 30.000.00 euro”, ka thënë Gashi.

Ndryshe, Dejan Pantiq u arrestua në dhjetor të vitit të kaluar nën dyshimet se ka sulmuar zyrtarët e Policisë së Kosovës dhe të Komisionit Zgjedhor në veri të Mitrovicës.

Pas arrestimit të tij, serbët lokalë vendosën barrikada në rrugët që çojnë për në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, të cilat e lidhin Kosovën me Serbinë.