Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, këtë javë po qëndron në Kosovë e Serbi, ku në Prishtinë u mirëprit nga zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, ndërsa në Beograd do ta takojë presidentin, Aleksandër Vuçiq.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, ndërsa ka komentuar vizitën e diplomatit sllovak, ka theksuar se në bazë të informacioneve që ai posedon, Lajçak po planifikon një takim të nivelit të lartë në Bruksel për çështjen e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, e cila ndaloi përdorimin e valutës shtetërore serbe, Dinarit, për shit-blerje dhe transaksione financiare në Kosovë.

“Nga thashethemet në Bruksel dëgjova se Lajçak ka ftuar për një takim Kurtin e Vuçiqin për çështjen e dinarit”, ka shkruar ai në platformën sociale, X.

Të martën në një prononcim të shkurtër për media, Lajçak, tha se me kryenegociatorin kosovar kanë diskutuar për nevojën e përshpejtimit të implementimit të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit.

“Arsyeja e vizitës ishte diskutimi se si të rifokusohemi në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbis. Ne e kemi një marrëveshje, duhet ta përshpejtojmë implementimin e saj, kjo është çështja parë që e kemi diskutuar sot me Bislimin”, ka potencuar ai.

Çështja e dytë që u diskutua në takim me Bislimin, sipas Lajçak, ka qenë Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.

“Për Kosovën e Serbinë ky disbursim i fondeve është i kushtëzuar me angazhimin konstruktiv në dialog dhe këtu jam unë ai që duhet të bëjë këtë vlerësim për konstruktivitetin. Mu për këtë kemi diskutuar se si të arrijmë te vlerësimi pozitiv”, ka shtuar Lajçak.

Lajçak gjatë prononcimit ka bërë të ditur se i është kërkuar të vazhdojë punën si ndërmjetësues i dialogut Kosovë – Serbi, deri në fund të muajit janar.

Po ashtu, Lajçak është pyetur se pse nuk është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Kryeministri Kurti nuk është brenda vendit, për këtë s’kemi pasur takim”, ka njoftuar ai.

Të mërkurën Lajçak pritet të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.