Dedikimi i Nesretës për të birin e zhdukur: Jam mbuluar nga rrudhat por s’jam lodhur së kërkuari ty

Kryetarja e shoqatës “Thirrjet e Nënave” në Gjakovë, Nesrete Kumnova, ka bërë një dedikim prekës për djalin e saj të zhdukur prej 21 vitesh. Më 31 mars 1999, biri i Nesretes, Albioni ishte rrëmbyer nga forcat serbe dhe fati i tij nuk dihet as sot e kësaj dite.

Përpos të birit, në shtëpinë e familjes Kumnova u rrëmbyen edhe nipi i Nesretes, Artan Efendija, dhëndri Gëzim Deva, fqinjët Lutfi e Bekim Bunjaku dhe Shkëlzen Binishi.

Nesretja shkruan se nuk është lodhur së kërkuari pavarësisht se e kanë mbuluar rrudhat e jetës. Ajo thotë se është e zhgënjyer më të gjithë ata që janë përgjegjës të cilët nuk u angazhuan mjaftueshëm për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Postimi i plotë i Nesrete Kumnovës:

Biri im i dashur, mbi dy dekada të kam kërkuar rrugëve të vendlindjes sate, Gjakovës dhe Kosovës, që u çlirua me gjakun tënd dhe të gjithë të rënëve, por askund nuk të gjeta!

Nuk arrita të gjej asnjë shenjë që të çmallem me ty, të flas me ty! Me kënd të flet nëna, që për dy dekada më kanë mbuluar rrudhat e jetës por asnjëherë nuk jam lodhur e as nuk kam ndaluar së kërkuari zbardhjen e fatit tënd, bir!

Dhe sot, 21 vjet më pas, sërish nuk mund të dalim as tek pragu i derës, nga një tjetër armik i padukshëm që sërish na mbylli në shtëpitë tona e që po merr jetë të pafajshme në mbarë globin!

Mbase shpresonim se më në fund do të përfundoj çështja e zbardhjes së fatit tënd por nga ky armik i padukshëm, mbase u ndal edhe procesi i kërkimit të fatit tënd dhe të gjithë atyre që rezultojnë të zhdukur!

Sot e çdo ditë më shumë, jam e zhgënjyer nga të gjithë ata që janë përgjegjës dhe nuk u angazhuan mjaftueshëm sa për të na qetësuar zemrat tona të plagosura, të sjellin më në fund trupin tënd dhe të të vizitoj tek varri yt i c ili të pret vite me radhë!

Nuk e kuptoj si mund të vazhdoj jetën pa ty, pa asnjë gjurmë, por ja që nënën e mban krenaria për qenien tënde, për gëzimet që na i dhurove, për sukseset sa ishe në jetë!

Biri im, Albion, vetëm krenaria që të patëm dhe që u flijove për lirinë e Kosovës, e mund dhembjen tonë të madhe!

Albion, biri im, sot nëna nuk mund të dalë as në qendër të qytetit dhe të protestoj, të flas botërisht për dhembjen dhe pikëllimin, pritjet dhe zhgënjimin!

Atdheut ia fale jetën, atdheu të pret të prehesh i qetë në tokën e lirë!