Presidenca

Dedaj e përmendi Osmanin në Speciale, i reagojnë nga Presidenca: Ti je veç një përfitues nga gënjeshtra

Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Vjosa Osmani ka reaguar pasi ka dëgjuar në Gjykatën Speciale disa deklarata të ish-ambasadorit Gjergj Dedaj.

Dedaj gjatë dëshmisë së tij e përmendi Osmanin, duke iu referuar asaj si “e ashtuquajtura presidente” dhe duke thënë se e ka larguar “dhunshëm” nga pozita e ambasadorit në Maqedoninë e Veriut. Kupina shkroi se Dedaj zgjodhi Specialen për “të përhapur gënjeshtra”.

“Gjergj Dedaj paska zgjedhur Gjykatën Speciale për të përhapur gënjeshtra lidhur me Presidenten Osmani, duke e quajtur me të njëjtat fjalë sikurse Serbia. Presidentja Osmani nuk është “e ashtuquajtur”, siç e cilëson Serbia dhe ti Gjergj, por ka më së shumti legjitimitet në historinë e Kosovës. Ti e di këtë, por s’të pëlqen ky fakt. Prandaj sot e bëre atë që di më së miri: gënjeve”, shkroi Kupina.

“Së pari, Presidentja Osmani nuk të ka hequr ty për ta emëruar bashkëshortin e saj. Të hoqën shkeljet e tua. Së dyti, bashkëshorti i saj as nuk ka qenë e as nuk është ambasador, ndaj ti jo që s’e di, por ama të pëlqen gënjeshtra si mjet viktimizimi. Ti je veç një përfitues nga gënjeshtra!”, tha ai.

Kupina tha se po presin drejtësi “për kërcënimet me jetë që i ke bërë publikisht ndaj Presidentes dhe familjes së saj”.

Dedaj tha se Osmani e ka larguar “dhunshëm, brutalisht, dhe politikisht” sepse, siç tha ai “në vend timin e ka dërgu burrin e saj”.