Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka njoftuar me entuziazëm se komuna është përfituese e iniciativës WiFi4WB, projekt i mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë, përmes programit EU4Digital.

Falë këtij projekti, rrjeti publik Wi-Fi falas do të vendoset në tre lokacione kryesore të Deçanit:
📍 Qendra e qytetit – Deçan: Zonë e frekuentuar nga qytetarë dhe turistë, me mbulim të gjerë të hapësirës.
📍 Qendra Inforumuese Turistike – Deçan: Pikë orientuese për turistët vendorë dhe të huaj, duke u ofruar qasje në internet për informacione të domosdoshme.
📍 Qendra Rinore “Fetnete Ramosaj”: Hapësirë multifunksionale e rëndësishme për të rinjtë, me zyra, ambiente kulturore e sportive, si dhe pikënisje për ecje malore në Bjeshkët e Deçanit.

Zbatimi i projektit do të bëhet nga Vala Telekomi i Kosovës, e cila do të kujdeset për instalimin dhe funksionalizimin e shërbimit.

Ramosaj e cilësoi këtë zhvillim si një “hap të madh drejt dixhitalizimit, modernizimit dhe përmirësimit të jetës së përditshme” për qytetarët e Deçanit, duke theksuar rëndësinë e qasjes së lirë dhe të sigurt në internet për komunitetin dhe turistët.