Deçani “evropian” mbyllë të gjitha dyqanet të dielën, kërkohet të ndodhë në të gjithë Kosovën

Është bërë një muaj që kur kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj ka marrë vendim që ditën e diel të mbyll të gjitha marketet dhe dyqanet  në këtë komunë.

Ky vendim është duke u pritur mirë nga banorët e Deçanit.

A.M, banore e Deçanit ka thënë për arbresh.info se ky vendim është i drejtë për shkak se punëtorët do të kenë të paktën një ditë pushim.

“E përgëzoj kryetarin për këtë vendim sepse është në të mirë të punëtorëve. Por edhe ne banorët duhet të vetëdijesohemi që të dielën do të jenë mbyllur marketet dhe të blejmë gjera ditëve tjera të javës”, tha A.M.

Kryetari i Komunës së Deçanit Bashkim Ramosaj këtë vendim e ka marrë nga shumë kërkesa që ka pranuar nga vetë punëtorët e marketeve dhe dyqaneve.

“Është bazuar në kërkesën e shumë ndërmarrjeve dhe shumë punëtorëve që punojnë në Deçan dhe është në rregullore komunale që është aprovuar muaj më herët  dhe që tash duhet me u zbatu. Këtë e kemi bërë sepse një pjesë shumë e madhe e punëtorëve  kanë bërë një  presion të jashtëzakonshëm në instituvcionin komunal dhe te unë si kryetar për me ndodh kjo”, tha kryetari Ramosaj për arbresh.info.

Përpos punëve dhe orëve shtesë, Ramosaj thotë se punëtorët janë duke punuar pa asnjë ditë pushim.

“Kjo është çështje e inspektoratit të punës që i mbron të drejtat e punëtorëve  sepse po shfrytëzohen jo racionalisht dhe po shfrytëzohen pa të drejtë. Përpos punëve dhe orëve shtesë që i kanë në punë realisht nuk e kanë  asnjë ditë pushim njerëzit që punojnë në kompani private”.

Ai thotë se vendimi është pritur mirë edhe nga bizneset në Deçan.

“Janë të caktuara edhe gjobat për bizneset që nuk e respektojnë dënohen me rregullore”, është shprehur ai.

Njohës i çështjeve ekonomike në vend, Mustafë Kadriaj thotë se ky vendim është i drejtë për punëtorët.

“Edhe teoritë ekonomike e vlerësojnë qe çdo vendim ekonomik nga qeveria si ne nivel qendror dhe lokal manifestohet me rezistence, por unë e thekso, si vendim te drejt nga qeveria komunale për arsye që dita e diel të jetë ditë pushimi sepse shumica e punëtorëve janë të gjinisë femërore qe ato kanë edhe obligime familjare, kështu që duhet të reflektojmë si një vend qe aspiron drejt Bashkimit Europian”, thotë Kadriaj për arbresh.info.

Ai thotë se vendim duhet të jetë shembull edhe për komunat tjera.

“Pra vendimi i Komunës së Deçanit duhet të jetë shembull edhe për komunat tjera. Vetëm bizneset jetike apo emergjente si farmacitë, përpunuesit e bukës, kompanitë e dervitave dhe te ngjashme duhet që të jenë në shërbim të qytetarit sepse me këtë dëshmojmë para miqve ndërkombëtar që në dimë te administrojmë dhe te zhvillojmë ekonominë si një shtet normal”, është shprehur ai.

Një iniciativë të tillë është folur të vendosin edhe komunat tjera, por deri me sot nga 38 komunat sa ka Kosova vetëm Komuna e Deçanit është duke mbajtur këtë vendim. Ndërsa Mitrovica Jugore aktualisht është duke mbajtur të dielën punë vetëm deri në orën 11:00.