Mero Baze

Debatet që do të formojnë një Parti të re Demokratike

Nga Mero Baze

Brenda 24 orëve Partia Demokratike zyrtare ka kaluar një cikël debatesh të ashpra brenda saj dhe ka vënë në provë aftësinë e saj për të qenë një parti e re demokratike, apo një mbetje e dëshpëruar e berishizmit, që nuk ja del dot të kthehet në parti.

Dhe prova ka funksionuar. Debatet mes grupit të mbetur parlamentar ka qenë prova e parë se dy teza me ndryshime të forta në përmbajtje dhe formë, arritën të debatoheshin brenda mureve të një salle dhe të krijojë një shumicë pro një qëndrimi.

Kjo është shenjë e një pjekurie politike dhe një hap i rëndësishëm drejt formimit të një identiteti politik të asaj partie.

Presioni i Berishës mbi Grupin Parlamentar të mbetur në PD zyrtare është natyrisht i madh. Ai e ka bërë publike strategjinë e tij për thithjen e tyre brenda partisë së tij, me përjashtim “të dy tradhtarëve”.

Do mjaftonte ky mentalitet për të kuptuar se në çfarë thertore i fton “delet” e mbetura në grupin e PD.

Por reagimet e PD zyrtare duken të matura dhe të pjekura. Pas debateve në kryesi dhe Grup Parlamentar, ata kanë pasur sot një debat me kryetarët e rretheve, të cilët duket se janë më të qartë se shumica e Kryesisë dhe Grupit Parlamentar, pra nevojën e një beteje elektorale.

Po përse ndodh kjo?

Ndodh së pari se në bazën e partisë, ndarja me Berishën është reflektuar seriozisht. Ndërsa në Grupin Parlamentar të PD ndarja me Berishën ka qenë fillimisht presion ndërkombëtar e më pas llogari për karrierë, në bazë të partisë ka qenë ndarje reale mes berishistëve dhe antiberishistëve.

Dhe ai proces nuk ka kaluar pa pasoja. Ajo që ndodhi më 8 janar në Tiranë me vare dhe qysqi në bazën e partisë përjetohet dhe më keq akoma. Përjetohet seriozisht.

Pasi më 8 janar ka pas aktorë nga të dy palët. Ka pas nga ata që në drekë dilnin me shkop bejsbolli dhe në darkë i shkonin Berishës me tufë me lule. Në bazën e partisë kjo nuk ndodh. Aty betejat merren seriozisht.

Së dyti, që ka dhe më shumë rendësi, njerëzit që krijojnë një mentalitet anti Berishë brenda PD kalojnë një proces ndriçimi kulturor brenda tyre. Minimumi i kthehen logjikës kur mendojnë dhe flasin. Problemi më i madh që ka berishizmi është heqja dorë nga të menduarit.

Antiberishist nuk bëhesh dot brenda ditës se t’u prish ndonjë interes apo se nuk të pëlqeu befas pamja e hakërryer e tij. Antiberishizmi është një ideologjie brenda PD që ka ekzistuar prej vitit 1991 dhe që nuk identifikohet vetëm me ata që e sulmojnë Berishën, por dhe më shumë personalitete të PD që kanë qenë në krah të tij, por që nuk kanë qenë berishistë. Për aq kohë sa Berisha nuk i mundte dot ata, i mbante në krah, por jo si të besuar të tij.

Fjala vjen ish- kryeministri Aleksandër Meksi ka qenë dy herë kryeministër i Berishës, por asnjëherë idhtar i tij. Pjetër Arbnori ka qenë kryetar i Kuvendit dy herë i zgjedhur prej Berishës, por asnjëherë berishist. Nuk po flas për Azem Hajdarin, se atë e kishte armik të hapur.

Po ashtu nuk po flas këtu për fraksionin e parë të PD të Aleancës Demokratike, kryesisht Pashko, Zogaj dhe Ngjela, që ishin frymëzues të antiberishizmit. Më vonë disa prej tyre bënë herë pas here kompromise me Berishën, por jo me berishizmin.

Pjesa e ish- të përndjekurve politikë në fillimet e PD, Dosti, Toto, Butka, Ali Spahia e Alfed Sereqi, ishin shpesh aleatë të Berishës, por asnjëherë berishistë në mentalitet. Brezi më i ri i atyre që nuk e pranuan kurrë Berishën ishte padyshim brezi i Shehit, Rulit, Brojkës, Xhaferaj etj, të cilët në fakt e provuan këtë me ndarjen me Berishën më 1997, kur ai hyri në luftën e tij të parë me SHBA dhe destabilizoi Shqipërinë.

Kjo është vala e dytë idelogjike e antiberishizmit, e cila lidhet si shkak përsëri me SHBA, por si reflektim është dhe më i thellë.

Ndaj dhe në këtë proces më të qartë janë ata që janë në bazë të patisë, se ata që në shumicë janë emëruar deputetë në Tiranë.

Së fundmi, vendimi për të bërë betejë në këto zgjedhje, nuk ka të bëjë me ndonjë mundësi për të matur antiberishizmin në shoqëri. PD zyrtare më shumë se sa si anti Berishë, do të jetë një parti që nuk do të identifikohet më me Berishën, jo vetëm si individ, por dhe me berishizmin si idelogji. Si e tillë ajo mund të marrë dhe shtresën gri të shoqërisë.

Por mos prisni ta marrë në këto zgjedhje, në këtë gjendje dhe me këto pak ditë që i kanë mbetur. Ajo do ta marrë atë elektorat kur të qartësojë lidershipin e saj dhe të kthehet në një opsion real opozitar pa Berishën. Por asnjë fitore nuk vjen pa bërë një betejë.