Matthijs de Ligt refuzon Manchester United.

Sikurse zbulojnë mediet angeleze, drejtuesit e “Djajve të Kuq” kanë ofruar jo pak, por plot 70 milionë euro për qendërmbrojtësin e Ajaxit dhe një pagë të lartë 15 milionë euro në sezon, por 19-vjeçari nuk e ka marrë në konsideratë propozimin.

Arsyeja mund të lidhet me faktin që talenti i “harkëtarëve” kërkohet edhe nga Barcelona, që ka siguruar gjithashtu shërbimet e shokut të tij të skuadrës, Frenkie de Jong.

Në shtëpinë e “Djajve të Kuq”, në fakt pritet të ndodhë revolucion gjatë merkatos së verës. Trajneri Ole Gunnar Solskjaer mësohet se ka dhënë pëlqimin e tij për largimin e francezit Anthony Martial, që ka zhgënjyer në këtë sezon.

Futbollisti, i mbërritur në vitin 2015 nga Monaco duhet të kërkojë një destinacion të ri. Klubi që kërkon të përfitojë shërbimet e tij duhet të bëjë një ofertë të kënaqshme, për të bindur United.