Sipas mbrojtësit të Chelseat, David Luiz, trajneri i “The Blues”, Maurizio Sarri ka qenë më i nervozuar pas disa ndeshjeve që janë mbyllur me fitore sesa pas humbjes në derbi kundër Tottenhamit.

Chelsea zhvilloi paraqitjen më të dobët të sezonit teksa e pa veten në disavantazh të dy golave pas vetëm 16 minutave lojë.

Ndeshja përfundoi me fitoren 3-1 të Tottenhamit, ndërsa Sarri e cilësoi performancën e skuadrës së tij një katastrofë.

David Luiz ka zbuluar se ish trajneri i Napoli ka pasur një reagim të papritshëm, duke iu referuar qasjes së tij pas takimeve të fituara.

“Sarri ka qenë shumë herë më i nervozuar kur kemi fituar. është e vërtetë se askush nuk është i lumtur sigurisht se as trajneri. Ai gjithmonë mundohet të bëjë më të mirën për ne, dhe anasjelltas. Por mendoj se është pozitive të na rikujtohet se në Premier Leauge nuk është e lehtë të fitosh. Një gjë e mirë është se kemi mundësinë të reagojmë shpejtë që nga ndeshja e javës së ardhshme. Pastaj e kemi ndeshjen me Manchester Cityn, një skuadër që e kryeson klasifikimin, është një mundësi për të provuar që të mbyllim hapësirën me ta”, deklaroi Luiz.

Humbja e së shtunës në “Wembley” ndaj Tottenhamit ishte e para për Chelsean në Premier League pas 13 javëve të zhvilluara.