Daut Haradinaj përgënjeshtron Memlin Krasniqin: Dështimi në Interpol ndodhi para vendosjes së taksës

Shefi i GP të AAK-së, Daut Haradinaj, ka përgënjeshtruar deputetin e PDK-së, Memli Krasniqi, i cili në seancën e sotme që po vazhdon ende, ka thënë se Kosova kishte dështuar të anëtarësohej në Interpol sepse SHBA ishte e hidhëruar me Qeverinë Haradinaj.

Krasniqi ka dashur ta ndërlidhë këtë argument të tij, me vendosjen e taksës. Por taksa ishte vendosur pas dështimit për anëtarësimin në Interpol. Kështu tha edhe Haradinaj.

“Kur tha që SHBA ishte e idhnume me qeverinë, kur ishte fjala për anëtarësim në Interpol, duhet të them që Interpoli kishte ndodhur para taksës. Pasi që dështum për anëtarësim në Interpol u vendos taksa 100%. Si derivat i mosanëtarësimit në Interpol, u vendos taksa 100%”, tha ai. Haradinaj ka përmendur ish-sekretarin e Mbrojtjes James Mattis, i cili kishte ndihmuar Kosovën në themelimin e Ushtrisë, si provë se SHBA nuk kishte ndonjë hatërmbetje me Kosovën.

“Sa për idhnim, flet boll ish-sekretari i Mbrojtjes Mattis, i cili Kosovës ia bëri përhajr ushtrinë në kohën e qeverisë Haradinaj”, tha ai.