Daut Haradinaj për Selim Pacollin: Lajmin për ndalesë e kam pranuar me keqardhje, e inkurajoj të ndjekë mjetet juridike

Kandidati i AKR-së për kryetar të Prishtinës, Selim Pacolli, nuk është certifikuar nga KQZ. Lidhur me këtë lajm ka reaguar kandidati i AAK-së për Prishtinën, Daut Haradinaj, ku tha se këtë lajm e ka pranuar me keqardhje dhe e inkurajoi Pacollin që të ndjekë të gjitha mjetet juridike për të mbrojtur të drejtën e vet.

“Lajmin për ndalesën e kandidimit të Selim Pacollit për Prishtinën e kam pranuar me keqardhje. Z. Pacolli, si nënkryetar i Komunës dhe si kundërkandidat është vlerë e shtuar e garës që i ndihmon debatit dhe garës demokratike. E inkurajoj Z. Pacollin që t’i ndjekë të gjitha mjetet juridike për të mbrojtur të drejtën e vet dhe të respektojë vendimet e gjyqësorit. Sido që të jetë verdikti, pa paragjykuar, roli i Z. Pacollit për Prishtinën në këtë garë ka qenë dhe është pozitiv dhe civil”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.