Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, me numër 50 në listën zgjedhore, ka zhvilluar sonte një takim në Viti me veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar angazhimin e tij dhe të AAK-së për trajtim dinjitoz dhe të drejtë të kësaj kategorie.

Përmes një postimi publik, Haradinaj bëri të ditur se së bashku me Dardan Krasniqin dhe Blerim Bajramajn, mori pjesë në një pritje të organizuar nga Fehriu dhe bashkëluftëtarët e tij, ku pati nderin të qëndrojë pranë veteranëve të UÇK-së, të cilët, siç u shpreh ai, “historinë e Kosovës e kanë shkruar me sakrificë, guxim dhe besë”.

Haradinaj theksoi se veteranët meritojnë më të mirën në Kosovën e lirë për të cilën kanë dhënë gjithçka, duke nënvizuar se programi i AAK-së parasheh masa konkrete për përmirësimin e pozitës së tyre.

“Në programin tonë, veteranët do të trajtohen me dinjitet dhe respekt, do të përfshihen në pagën minimale dhe do t’u garantohet e drejta e punësimit, e cila u është mohuar padrejtësisht për shumë kohë”, ka deklaruar Haradinaj.

Ai shtoi se sakrifica e veteranëve nuk ka qenë e vogël, duke rikujtuar se ata nuk kursyen as jetën e as rininë për lirinë e vendit, ndërsa Kosova, sipas tij, u ka borxh shumë më tepër sesa fjalë.

“Është nder dhe përgjegjë e madhe t’ju kemi në krah. Kujdesi ndaj këtyre kategorive është obligim i yni dhe asnjëherë nuk do t’ju mungojë”, përfundoi Haradinaj.

Ky takim vjen në kuadër të fushatës zgjedhore të AAK-së, ku fokusi po vihet në çështjet sociale, dinjitetin e veteranëve dhe përmbushjen e obligimeve institucionale ndaj kategorive që kanë kontribuar drejtpërdrejt në lirinë e Kosovës.