Kryesia e LDK-së dhe lideri i saj, Isa Mustafa kanë vendosur sot që të ngrisë mocion mosbesimi për Qeverinë Kurti, pjesë e së cilës janë edhe vetë këta të fundit.
Kjo është bërë e ditur sot nga Mustafa, i cili dha arsyet e LDK-së për dalje nga qeveria e koalicionit me VV-në.
Lidhur me këtë Ballkani.info ka biseduar me shefin e grupit parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj, i cili ka thënë se kjo parti nesër do të merr vendim nëse e mbështetë ose jo mocionin e LDK-së.
“Ne do të mblidhemi nesër në ora 11 dhe do të marrim vendim nëse e mbështesim ose jo mocionin që do ta iniciojë LDK-ja në Kuvend për rrëzimin e qeverisë”, ka thënë Haradinaj për Ballkani.info.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka sqaruar vendimin e partisë së tij për të iniciuar mocion mosbesimi për rrëzimin e Qeverisë Kurti, në të cilën bën pjesë edhe partia e tij.
“Nuk dëshirojmë të jemi bashkëpërgjegjës në prishjen e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, është shprehur Mustafa, duke iu referuar kërkesave nga Uashingtoni që Kosova ta heqë tarifën plotësisht dhe pa kushte ndaj Serbisë.
“Nuk shohim më arsye të bashkëqeverisim me Lëvizjen Vetëvendosje”, ka deklaruar Mustafa në një konferencë për media, pas një takimi të jashtëzakonshëm të LDK’së.
“Nuk shohim interes për vendin që VV’ja, me qëndrimet ndaj aleatëve, të qëndrojë në krye të qeverisë së vendit”, ka thënë Mustafa.
“Do të marrim iniciativë të mocionit…. Mbetet përgjegjësi e të gjitha partive politike, dhe institucioneve, se si të dilet nga kjo situatë”, është shprehur kreu i LDK’së.







