Daut Haradinaj në varrimin e bashkëluftetarit të tij, Qerim Kelmendi: Prehu i qetë miku im Demë!

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj, ka marrë pjesë në varrimin e Qerimit Kelmendit, njërit nga ideatorët dhe krijuesit të UÇK-së.

Haradinaj, i cili në fillimet e hershme të luftës në Kosovës, kishte bashkërrugëtuar me “Demën”, siç njihej Kelmendi, tha se ai ishte dhe do të mbetet në kujtesën e tij si bashkërrugëtar i hershëm.

Qerim Kelmendi u vra në një antentat dy ditë më parë afër shtëpisë së tij në Zahaç të Pejës. Ende nuk janë gjetur kryerësit e kësaj vepre makabre.

Postimi i plotë i Haradinajt:

Sot ju dha lamtumira e fundit njërit ndër ideatorëve dhe krijuesve të UÇK-së, Qerimit. “Dema” i luftës ishte dhe do mbetet në kujtesën time si bashkërrugëtar i hershëm.

Ai së bashku me heronjtë e kombit Ilir Konushevci, Adrian Krasniqi, Shkëlzeni, Muja e shumë bashkëluftëtarë të Adem e Hamëz Jasharit, e nisën rrugën e lirisë, rrugë kjo që mori shumë heronj, e që sot tinëzisht e mori edhe Demën e luftës.

Ai sot po ju bashkohet shumë bashkëluftëtarëve të tij dëshmorë, ashtu sikur i la të pikëlluar edhe shumë të tjerë.

Drejtësia duhet veprojë dhe ta zbardhë këtë rast të ulët.

Prehu i qetë miku im Demë!

DH