Daut Haradinaj: Meliza Haradinaj-Stublla është grua e fortë dhe e ndershme, për zhurmën rreth votave të gjendet përgjegjësi

Meliza Haradinaj –Stublla ka bërë publike sot dorëheqjen e saj nga drejtimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Përpos kësaj, Meliza Haradinaj-Stublla pas shumë vitesh hoqi dorë edhe nga partia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Haradinaj-Stublla e cila në AAK qëndroi për afro 15 vite, sot mori vendim që të largohet nga aty.

Në dorëheqjen e saj, ndër të tjerash Meliza-Haradinaj Stublla jo-qartazi foli edhe për disa pakënaqësi që pati brenda përbrenda partisë.

Madje ajo tha se nuk është sekret që Aleanca nuk ka qenë favorit për t’i fituar zgjedhjet, dhe ky fakt ka alarmuar disa që mbijetesën politike e kanë luftë për ekzistencë!

“Ata janë angazhuar që me çdo kusht të fitojnë betejën zgjedhore, pa zgjedhur mjet e as rrugë. Me çdo kusht kanë aderuar njerëz të padëshmuar e të panjohur për strukturat e partisë, për të ndërtuar projeksionet dhe aleancat e tyre për mirëmbajtjen e kontrollit dhe shantazhit përbrenda. Distancimi im nga një parti tek e cila kam besuar fort dhe kontribuar shumë, mbi 15 vjet, nuk e kam menduar asnjëherë që do të vijë. Por tani që erdhi, jam në paqe që po largohem nga prezenca toksike e disa njerëzve që AAK-në e bëjnë parti të pareformueshme, dhe kryetarin Haradinaj të izoluar”, tha ajo.

Por lidhur me këtë, lajmi.net ka kontaktuar nënkryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj.

Haradinaj deklaroi se e vlerëson Meliza-Haradinaj Stublla dhe sipas tij ajo është një grua e fortë dhe e ndershme.

“Unë personalisht e çmoj dhe e konsideroj të ngutshëm këtë veprim, por prapë se prapë unë e kam mike atë dhe familjen e saj”, tha Daut Haradinaj.

Madje sipas tij zhurma rreth numërimit të votave në kuadër të zgjedhjeve të 14 shkurtit duhet të sqarohet dhe se kushdo që gjendet se është përgjegjës të marrë atë që e meriton.

Ndryshe javën e kaluar në media janë publikuar disa video-incizime në bazë të së cilave dyshohet se bashkëshorti i Meliza-Haradinaj Stublla, Dardan Stublla ka manipuluar në sigurimin e votave për kandidaten e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla.

Pas publikimit të kësaj video pati reagime të shumta edhe nga bashkëpartiakë të saj si dhe nga kandidatë të tjerë të subjekteve politike, të cilët kërkuan rinumërim të votave nga zgjedhjet nacionale të zhvilluara më 14 shkurt.

Pas pranimit të ankesave në PZAP është vendosur që të bëhet rinumërimi i disa vendvotimeve. Mbrëmë filloi menjëherë rinumërimi i disa prej këtyre qendrave, rinumërim ky i cili u bë me praninë e zyrtarëve policorë dhe të Prokurorisë së Shtetit.

Kësisoj edhe sot do të vazhdohet me rinumërimin e vendvotimeve të mbetura, pas ankesave që shumë prej kandidatëve patën drejtuar në PZAP në mënyrë që të hetohet deri në fund se çfarë saktësisht ndodhi me votat e kandidatëve në këto zgjedhje.

Meliza Haradinaj-Stublla ndryshe publikimin e video-incizimit në fjalë e quajti inskenim e që sipas saj gjithçka duhet të hetohet deri në fund.

Brenda muajve të fundit pati disa dorëheqje në kuadër të drejtimit të ministrive. Ishte Blerim Kuqi nga radhët e AAK-së i cili dha dorëheqje nga drejtimi i Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit për t’u zëvendësuar më pas nga Muharrem Nitaj, si ministër në detyrë.

Pas kësaj dorëheqje dha edhe Hykmete Bajrami, e cila udhëhoqi Ministrinë e Financave. Që të dy deklaruan se dorëheqjet kanë të bëjnë me arsye personale.

Ndërsa dorëheqja e Meliza Haradinaj-Stublla nuk dihet nëse është pranuar ende nga kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, derisa janë tre zv/ministra në këtë ministri që nuk dihet ende se cili do të zëvendësojë Meliza Haradinaj-Stubllën.