Deputeti

Daut Haradinaj: Me Ushtrinë po përmbyllim edhe kapitullin e fundit të shtetndërtimit

Kanë mbetur edhe dy ditë nga zyrtarizimi i Ushtrisë së Kosovës.

Kuvendi i Kosovës pritet që të premtën, në orën 10:00, t’i votojë tri projekligjet që FSK-në e shndërrojnë në Ushtri të vendit tonë.

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj thotë se Ushtria e Kosovës do të jetë krenaria e Kosovës.

Në një deklaratë për Ballkani.info, Haradinaj thotë se Ushtria e Kosovës do të jetë e ndërtuar dhe funksionale sipas standardeve të NATO-s, aty edhe ku synon të anëtarësohet.

“Ushtria jonë nuk do të jetë kërcënim për askënd, do të jetë ushtri e popullit dhe për popullin. Ne synojmë të bëheni anëtar të NATO-s, prandaj çdo standard që ka Aleanca Veri-Atlantike është standard për neve, për Ushtrinë e Kosovës”, thekson Haradinaj.

Sipas tij, bërja e Ushtrisë është kapitulli i fundit i shtetndërtimit të Kosovës.

“Tashmë përfundimisht po e përmbyllim ndërtimin dhe funksionalizimin e shtetit tonë. Me ushtrinë përmbyllet edhe kapitulli i fundit për Kosovën, shtet normal dhe i barabartë me të gjitha shtetet tjera”, thotë deputeti i AAK-së.

Ai po ashtu shprehet mirënjohës se i gjithë spektri politik në Kosovë është unik sa i përket votimit të së premtës. /Ballkani.info/