Daut Haradinaj me plan konkret për secilën lagje të kryeqytetit

Derisa ende nuk kemi hyrë në muajin shtator, gara për Prishtinën sa vjen e bëhet më e nxehtë. Pothuajse gjithë kandidatët kanë filluar që të shpalosin idetë e tyre për kryeqytetin. Përderisa disa kandidatë po bëjnë fushatë pa ndonjë ide konkrete, e cila nuk përkon me nevojat e qytetarëve të Prishtinës, është Daut Haradinaj ai i cili po shpalos çdo ditë programin e tij për secilën lagje të kryeqytetit.

Daut Haradinaj shihet nëpër lagjet e kryeqytetit pothuajse çdo ditë, me qytetarë të kryeqytetit që me interesim të madh po e përkrahin vizionin e tij për Prishtinën.

Ndërtimi i palestrave sportive, legalizimi i pronave, mundësia e lejimit të ndërtimit të lartë janë vetëm disa nga pikat që Haradinaj zotohet se do t’i bëjë për Kodrën e Trimave, lagje kjo e neglizhuar për vite me rradhë nga qeverisjet e kaluara. Ndërkaq, Haradinaj këtë lagje siç duket e ka pikë të fortë për zgjedhjet që po vijnë, pasi që ka kohë që ai është aktiv në atë pjesë të kryeqytetit, e ku jemi dëshmitarë se një numër i madh i personaliteve me ndikim kanë dalur haptas në mbështetje të tij.

Ndërtimi i teleferikut tek shkallët e Dragodanit, furnizimin e ndriçimit publik përmes sistemit solar janë vetëm disa nga pikat kreative programore të kandidatit për kryetar, Daut Haradinaj. Fushata e Haradinaj është vlerësuar pozitivisht edhe nga opinionistë e gazetarë të njohur vendorë. Analistë të njohur të skenës sonë mediatike, përmes deklarimeve të tyre kanë theksuar se Haradinaj me programin dhe listën e tij për kryeqytetin do të jetë befasi në zgjedhjet e 17 tetorit të këtij viti.