Daut Haradinaj: Mbështes iniciativat e Veselit, le të nisin në AAK, PDK dhe të gjitha partitë tjera

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka thënë se e mbështet nismën e kryetarit të PDK-së Kadri Veseli, për të inicuar themelimin e një sërë Komisionesh hetimore në Kuvendin e Kosovës, ndër to edhe atë për procesin e privatizimit dhe çështje të tjera.

“E mbështes iniciativën e krytetarit te PDK-së Kadri Veseli, për hetimin parlamentar për “hetimin e pasurisë së fituar pa djersë”. Shpresoj se kjo do të jetë iniciativë që do te zhvillohet duke filluar në AAK, PDK, etj, pa asnjë dallim…”, ka thënë Haradinaj për Periskopin.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka prezantuar nismat ligjore që do të ndërmerr PDK, sipas tij “për të zbardhur të vërtetën e plotë që nga procesi i privatizimit e deri tek gjitha çështjet jetike për vendin në 21 vite liri”

“Prandaj, PDK-ja do të ndërmarrë veprime konkrete kushtetuese e ligjore brenda Kuvendit të Kosovës për këto tema, të cilat do t’i shërbejnë vetëm interesit publik dhe nxjerrjes së të vërtetës njëherë e përgjithmonë se kush janë abuzuesit e vërtetë me emër e mbiemër të këtij vendi. Këto iniciativa nënkuptojnë themelimin e Komisioneve Hetimore për Çështje më rendësi të veçantë për publikun, si dhe propozime për plotësimin dhe ndryshimin e ligjeve aktuale, duke përfshirë këtu edhe iniciativat e reja legjislative hetimore dhe gjithçka që ju mundësohet hetimeve parlamentare të pavarura e profesionale”, tha Veseli.

Lideri i PDK-së tha se nga këto veprime konkrete e iniciativa parlamentare nuk do ta përjashtohen asnjë individ politik, qoftë edhe brenda partisë që drejton.

“Prandaj, kërkesa e parë që e deponojmë këtë javë në Kuvendin e Kosovës është për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për Procesin e Privatizimit në Kosovë. Dua të siguroj të gjithë qytetarët e ndershëm të këtij vendi, ndërmarrësit e bizneset që ky proces nuk është kundër tyre si dhe kundër procesit të privatizimit. Përkundrazi, si parti e qendrës së djathtë e mbështesim dhe do të angazhohemi që këtij procesi t’i sigurojmë transparencë të plotë dhe llogaridhënie deri në fund”, tha Veseli.