Daut Haradinaj: Kundërkandidatët janë e njëjta shkollë politike sikurse kryetari aktual i Prishtinës

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj sot ishte i ftuar në “Ju flet Prishtina” ku u diskutua për shumë çështje si punën e ndërtimeve të larta në kryeqytet, rregullimin e pronësisë e ndër të tjera edhe se si e sheh kryetarin e tanishëm të Prishtinës dhe kundërkandidatët e tij. 

Haradinaj ka thënë se gjelbërimi për kryeqytetin nuk është marrë shumë seriozisht, nuk ka parqe të mjaftueshme duke thënë se gjelbërimi janë mushkrinjtë e një vendi. 

Duke thënë se rritja e çmimit të energjisë elektrike është jo normale duke e krahasuar atë me çmimet të cilat paguajnë vendet e rajonit, Haradinaj tha se nëse këto para do të shpenzoheshin për gjelbërim e lule, situata e kryeqytetit do ishte shumë më ndryshe dhe jo e tillë si tani. 

Haradinaj po ashtu ka bërë të ditur se Prishtinën e njeh shumë mirë duke treguar se ka një kohë të gjatë që jeton në Prishtinë meqë ka qenë student, por që shkaku se pse atij i’u pamundësua të vazhdonte jetesën në kryeqytet ishte fakti se lufta kishte filluar më herët në disa zona të vendit dhe se i ishte dashur të kthehet në vendlindje për t’iu përkushtuar luftës. 

Më tej ai ka hedhur poshtë deklaratat e ndryshme se ka të bëjë diçka me kazinot, apo me objektin Pandora ku për një kohë të gjatë flitej se është pronar i atij vendi, duke thënë se nën udhëheqjen e kryeqytetit do interesohet për atë vend pikërisht për të parë se kush ka dhënë leje për ndërtimin e atij vendi a ka ndonjë kat më shumë sesa ka leje për ndërtim. 

Për sa i përket kazinove Haradinaj tha se kanë qenë të parët që nga Ramush Haradinaj dhe gjithë Aleanca në Kuvend kanë qenë për mbylljen e kazinove dhe sikur të kishte të bënte me kazinot nuk do kishte shumë dëshirë të punonte në dëm të vetvetes. 

Ndërkaq Haradinaj u pyet edhe për kundërkandidatët e tij në garë për Prishtinë, ai u shpreh se nuk ka shqetësime për sa i përket atyre që garojnë duke thënë se qytetarët duhet të vendosin për ndryshimin dhe nëse vendosin që të zgjedhin dikë nga kundërkandidatët e tij Prishtina do vazhdojë të jetë në gjendje të njëjtë siç ka qenë.

“Nëse unë e fitoj garën duhet të më urojnë, nëse dikush nga ata fiton garën do jem unë ai që do i urojë”, ka thënë Haradinaj. 

Haradinaj theksoi se qytetarët janë të lodhur nga debatet e ashpëra duke treguar se nuk kanë armiq politikë, më tej ai tha se zgjedhjet lokale janë interes i drejtpërdrejtë i qytetarëve dhe se Aleanca kandidon me program serioz për secilën komunë. 

Haradinaj vazhdoi të shpreh shqetësimet e tij për lagjet e Prishtinës për të cilat ka reaguar shumë e shumë herë duke thënë se punë e suksesshme e një krytari të komunës është të merret me ndriçimin e lagjeve, me parqet, me nënkalimet të cilat shumica janë në gjendje të tmerrshme.