Daut Haradinaj: Komisioni s’ka arritur të argumentojë se Thaçi është prapa dëbimit të gylenistëve

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, pas votimit të raportit të komisionit hetimor për rastin e gylenistëve, ka thënë se kjo është një storje suksesi, megjithatë shton se kolegu i tij në parti, Muharrem Nitaj ishte ai që ka korrigjuar këtë raport rreth 30 herë.

Derisa shumë nga deputetët thanë se është presidenti Hashim Thaçi ai që ka qëndruar prapa orkestrimit të ditës së 29 marsit, Nitaj deklaroi se komisioni nuk arriti të argumentojë një gjë të tillë. Haradinaj po thotë se ajo që deklaroi deputeti Nitaj është qëndrim i AAK-së.

Seanca e jashtëzakonshme që u mbajt sot në Kuvend të Kosovës e që në rend dite pati shqyrtimin raportit të Komisionit hetimor parlamentar për deportimin e gjashtë shtetasve turq, në deklarimet e shumicës nga deputetët, faji kryesor për këtë iu la presidentit Hashim Thaçi.

Ishte deputeti Muharrem Nitaj i AAK-së, ai që deklaroi i pari se partia e tij do të votojë raportin, megjithatë tha se edhe në komision nuk është arritur të argumentohet nëse presidenti Thaçi qëndron prapa orkestrimit të asaj dite.

“Kush ka qenë i informuar për operacionin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq se kush e ka ditur dhe kush nuk e ka ditur, se kush ka qenë urdhërdhënës, nëse ka qenë urdhërdhënësi ose nëse mbas gjithë kësaj ka qëndruar presidenti i Kosovës Hashim Thaçi unë nuk e di, por në fakt duhet ta pranojmë të gjithë këtu që komisioni hetimor nuk ka arritur ta argumentojë asnjërën prej këtyre pretendimeve”, deklaroi deputeti.

Megjithëse, një qëndrim të tillë nuk e patën edhe partitë tjera, në krah të Nitajt, ka dalë deputeti Daut Haradinaj.

Duke folur për Gazetën Express, Haradinaj ka thënë se votimi i këtij raporti është një shenjë se parlamenti po funksion. Deputeti i ka dalë në krah edhe deklaratës së Nitaj që e bëri në Kuvend për presidentin.

“Padyshim se votimi i raportit për shtetasit turq është një lajm i mirë. Pati një dakordim nga të gjithë. Kjo është shenjë që po funksionon parlamenti dhe shembulli i këtij komisioni, është një storje suksesi”, tha Haradinaj, duke shtuar se ishte Nitaj ai që kishte korrigjuar disa herë gabimet e komisionit.

“Opinioni publik ndoshta nuk e din, por i vetmi kontribut nga anetarët e komisionit hetimor për shtetasit turq, për përpilimin e saktë të këtij raporti, ka qene i AAK. Janë korrigju rreth 30 formulime të gabuara të raportit nga deputeti ynë në këtë komision Muharrem Nitaj. Ai ka luajtur një rol kyç që ky komision të mos dështojë, sepse ka pasur një perplasje aspak logjike ndërmjet partive opozitare dhe PDK’së. Ky komision ka pas nevojë për një zë të arsyes. Miratimi i këtij raporti është në përputhje të plotë edhe me qëndrimin e Kryeministrit i cili me kohe e pa asnje vonese, i mori vendimet e drejta. Nitaj, mbrojti qëndrimin e AAK dhe të grupit parlamentar ku pas intervistimit të dhjetera personave përgjegjës, në asnjë rast nuk u laku emri i presidentit Thaçi”, shtoi Haradinaj duke mbrojtur atë që tha Nitja se Thaçi nuk qëndron prapa ditës së 29 marsit.

Kjo sipas tij mund të kuptohet edhe nëse lexohen transkriptet e mbledhjeve. Deputetët e opozitës Vetëvendosje e LDK, ishin ata që gjatë seancës në deklarimet e tyre thanë se ishte presidenti ai që pati informacion për rastin.

Ndryshe, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar sot pro shqyrtimit të raportit përfundimtar të Komisionit Hetimor Parlamentar për rastin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq.

Në sallën e Kuvendit të Kosovës gjithsej ishin 68 deputetë, nga ku 58 votuan pro, 2 kundër dhe katër abstenime.

Gjithsej në votim elektronik u regjistruan 64 vota dhe një votë me dorë.