Ish-shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj, ka folur rreth kandidaturës së tij për kryetar të Prishtinës. Haradinaj ka treguar se në Prishtinë ka ardhur si student në vitin 1997, ndërsa nga viti 2006 është banor rezident.
Ai tha se në sfidat të cilat i kanë banorët e Prishtinës, mendon se mund të jap kontribut në zgjidhjen e problemeve për ta.
“Një disiplinë në punë, angazhim shtesë dhe menaxhim më i kujdesshëm do të ishte më efikas”. “Ka mbi një muaj që jam në terren me qytetarë të ndryshëm të Prishtinës nga zona të ndryshme urbane dhe rurale. Ka zona që janë lënë pasdore, si psh: Vranjefci, ku ka rreth 70 mijë banorë e është investuar tepër pak për të mos thënë hiç”, ka thënë Haradinaj në T7. Ai shtoi se në fshatrat e Prishtinës qytetarët që merren me bujqësi kanë sfida të mëdha.
“Nëse dalim jashtë Prishtinës janë 41 fshatra, shohim se njerëzit në bujqësi kanë sfida për të punuar”, është shprehur ai. Haradinaj foli edhe për shërbimet publike në Prishtinë, e të cilat, sipas tij, janë në nivel modest. “Janë 24 mijë banesa të cilat qytetarët i kanë blerë e ende nuk i është bërë pranimi teknik, kësisoj nuk është titullar i pronës së vet.. nuk kanë leje poseduese, e nuk mund ta shfrytëzojnë për garanci bankare. Lejet për banesat që janë ndërtuar e nuk kanë leje poseduese”.
“Për derisa ai objekt ka pas pëlqyeshmëri për ndërtim duhet të marrën veprime që banorët të pajisen me ato leje poseduese. Janë akumulua këto probleme që një kohë të gjatë”, potencoi Haradinaj. Ai tha se është në komunikim me të gjitha kategoritë e kryeqytetit si ndërtuesit, banorët, taksitë përfaqësueses të ndryshëm të bizneseve etj.
“Nëse e shihni në 2017, 2018, 2019 janë shumë klube sportive, ndërkaq vetëm 2 % e buxhetit është shpenzuar ne sport”, tha ndër të tjera ai. Tutje ai shtoi se Prishtina është kryeqyteti i vetëm në rajon i cili nuk ka spital rajonal. “E ke kryeqytetin e vetëm i cili nuk ka spital rajonal. Ky është problem i cili realizohet lehtë, sepse nuk është problem megaloman”.







