Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, me numër 50 në listën zgjedhore, ka bërë thirrje për bashkim qytetar në prag të datës 28 dhjetor, duke e cilësuar atë si një moment historik për Kosovën.

Përmes një postimi publik, Haradinaj u shpreh se data 28 dhjetor po afron dhe se është koha që të gjithë të bashkohen për të ndryshuar situatën aktuale në vend, duke u rreshtuar rreth Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe numrit 129.

“Le të bashkohemi të gjithë për ta ndryshuar situatën në Kosovë. Rreth Aleancës dhe rreth numrit 129 – krah teje Kosovë,” ka deklaruar Haradinaj.

Ai theksoi se 28 dhjetori duhet të festohet bashkërisht si një ditë historike, që simbolizon kthimin e Kosovës në binarët e saj të duhur dhe hapjen e një kapitulli të ri politik për vendin.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po vazhdon fushatën e saj elektorale, ndërsa kandidatët e saj po përcjellin mesazhe mobilizuese për pjesëmarrje dhe mbështetje qytetare në proceset e ardhshme politike.