Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për deputet, Daut Haradinaj, ka takuar banorë të fshatit Treboviq të Pejës dhe zona përreth, ku ka prezantuar qëndrimet dhe programin e Aleancës për zgjedhjet e ardhshme.

Në këtë takim morën pjesë edhe gjenerali Agim Çeku dhe Nasim Haradinaj, së bashku me qytetarë të shumtë të rajonit.

Përmes një postimi, Haradinaj ka thënë se banorët e kësaj zone janë të pakënaqur me mungesën e investimeve dhe zhvillimit, duke theksuar se gjithnjë e më shumë qytetarë po i bashkohen Aleancës.

“Në Treboviq të Pejës, me shumë njerëz të mirë të këtij fshati dhe më gjerë, të cilët kanë vendosur se mjaft më me mashtrime, pa investime, pa zhvillim, të harruar e të braktisur nga shteti”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka shtuar se mbështetja për Aleancën po rritet edhe nga qytetarë që më parë kanë pasur bindje të tjera politike, pasi, sipas tij, në programin e Aleancës po shohin një alternativë të besueshme për të ardhmen e vendit.

Haradinaj ka theksuar se Aleanca synon të qeverisë me fokus në siguri, energji dhe zhvillim ekonomik, duke nënvizuar se angazhimi i subjektit që përfaqëson është i orientuar drejt interesave të qytetarëve.

“Paktin e kemi vetëm me ju, me qytetarët e këtij vendi”, është shprehur ai.

Takimi në Treboviq u zhvillua në kuadër të aktiviteteve elektorale të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në prag të zgjedhjeve.