Gjest bujar

Dardanët do t’i vizitojnë në spital dhe do t’iu shpërndajnë dhurata fëmijëve me Down Syndrome

Tifozët e Kombëtares së Kosovës, Dardanët, do të shpërndajnë dhurata për disa grupe të fëmijëve në Kosovë, për festat e fundvitit. Dhuratat do të shpërndahen nga 29 deri më 31 dhjetor në të gjitha regjionet e Kosovës.

Dardanët, kanë bërë të ditur se ata do të shpërndajnë dhurata për fëmijët në fshatin SOS, fëmijët me Down Syndrome, fëmijët e shtrirë në spitale, fëmijët të familjeve në varfëri ekstreme dhe fëmijëve të dëshmorëve të Kosovës

“Ne Dardanët, që përfaqësojmë tifozërinë e Kosovës, dëshirojmë të bëjmë nga një dhuratë simbolike fëmijëve bonjak në fshatin SOS, fëmijëve me Down Syndrome, fëmijëve të cilët festat e fundvitit duhet t’i presin në spitale për shkak të sëmundjeve të rënda si dhe fëmijëve të familjeve në varfëri ekstreme dhe fëmijëve të dëshmorëve të Kosovës, për të cilët një dhuratë e vogël nuk do t’ia përmirësojë jetën e tyre, por do të ishte një gëzim sado i vogël në këto ditë festive”, shkruhet në njoftimin e lëshuar nga Dardanët.

“Kryesia e Dardanëve bashkë me stafin e ngushtë dhe koordinatorët e të gjitha qendrave, do të bëjë shpërndarjen e dhuratave në ditët e cekura në të gjitha regjionet e Kosovës. Këtë nismë e kemi quajtur ‘Për njëri-tjetrin’”.