Dardan Molliqaj nuk është intervistuar ende nga Prokuroria për sulmin ndaj Haki Abazit

Pak ditë pasi u zgjodh kryetar i Partisë Social Demokrate, Dardan Molliqaj pritet që të paraqitet në Prokurorinë e Prishtinës për t`u deklaruar në lidhje me incidentin mes tij dhe Haki Abazit pas një debati në një studio televizive.

Prokuroria ka filluar hetimet kundër kreut të PSD-së, pasi dyshohet se kishte sulmuar anëtarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazin, pas një debati televiziv të mbajtur me 11 shtator për zgjedhjet e 6 tetorit.

Lajmin se kreu i PSD-së Dardan Molliqaj do të merret në pyetje lidhur me sulmin e anëtarit të LVV-së Haki Abazi, e ka konfirmuar Prokuroria e Prishtinës.

“Duke ju referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, personi në fjalë ende nuk është intervistuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë. Pritet që i njëjti të intervistohet nga kjo prokurori brenda një afati të shkurtër kohor”, tha zëdhënësja e Prokurorisë për KALLXO.com.

Gjatë një debati televiziv në televizionin “T7”, të mbajtur me 11 shtator, kishte ndodhur një incident në mes të dy protagonistëve kryesor të emisionit, Dardan Molliqaj dhe Haki Abazi.

Debati brenda kishte eskaluar, ndërsa në korridoret e studios kishte pasur edhe përleshje fizike në mes të tyre.

Lidhur me këtë rast në një prononcim për KALLXO.com Haki Abazi kishte thënë se Dardan Molliqaj kishte shkuar me zë kërcënues dhe e kishte sulmuar atë.

“Unë kam qenë në dalje, kam qenë duke ecë me Rexhep Hotin dhe ata më kanë sulmuar”, ka thënë Abazi.

Ky incident nuk i kishte ikur syrit të organeve ndjekëse pasi gjatë muajit nëntor, Prokuroria e Prishtinës kishte filluar zyrtarisht hetimet kundër Dardan Molliqajt.