Dardan Krivaqa sot e dëgjoi prokurorin duke i shpalosur detajet e tmerrshme rreth vrasjes për të cilën dyshohet

Sot në Gjykatën Themelore në Ferizaj është mbajtur seanca fillestare ndaj dy të akuzuarve për vrasjen e 18-vjeçares, Marigona Osmani – Dardan Krivaqa e Arbër Sejdiu. Nën praninë e focave të shumta të Njësisë Speciale, Krivaqa hyri në sallë i veshur me jelek antiplum, ndërsa Sejdiu nuk e pati të veshur një të tillë.

Asnjëri nga të pandehurit nuk e pranoi fajësinë për akuzat me të cilat ngarkohen, ndërsa për ta përcjellur këtë seancë, brenda në sallë ishin edhe prindërit e të ndjerës.

Gjatë seancës, prokurori i rastit Valdet Avdiu lexoi një pjesë të aktakuzës.

Avdiu tha se “i pandehuri, Dardan Krivaqa më datën 21 gusht 2021 në banesën e tij në Rr. ‘Ramadan Rexhepi’ në Ferizaj pa pëlqimin e saj e detyruan të ndjerën, Marigona Osmani të kryej marrëdhënie seksuale e cila përcillet me tortura në atë mënyrë që fillimisht pa dëshirën e saj ka kryer marrëdhënie seksuale në sallon. Pas kryerjes së aktit seksual të njëjtën e zhvesh e dërgon në banjo”.

“Nga aty me dhunë e dërgon në dhomën e gjumit, mirëpo me kalimin e kohës për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore si pasojë e dhunës së ushtruar humb aftësinë… E ku edhe në dy raste, në mbrëmje kryhen marrëdhënie seksuale pastaj të zhveshur e dërgon në banjo dhe ku i vërehen lëndimet me çka krijohet vepër penale dhunimi… I pandehuri, Arbër Sejdiu më datën 21 gusht 2021 me dashje i ndihmon në kryeje të veprës penale ‘dhunimi’ në atë mënyrë që fillimisht kontaktojnë përmes telefonit dhe takohen në qytet pastaj së bashku kthehen në banesë i pandehuri Arbër posa mbërrin duke qenë në dijeni se i pandehuri Dardan është duke dhunuar tani të ndjerën Marigona Osmani me dashje”, thuhet në aktakuzën që lexoi Avdiu, transmeton Telegrafi.

“Nga ora 10:56 deri në orën 14:43 i pandehuri i parë merr një shkop dhe së bashku me të pandehurin e dytë hyjnë në dhomë me ç’rast të njëjtës i shkaktojnë lëndime të mëdha fizike dhe psikike ku nga goditja pëson politrauma, lëndime të shumëfishta ku vdekja shkaktohet drejtpërdrejt nga asfiksia mekanike si dhe shoku hemorragjik dhe traumatik të cilat janë pasojë e gjakderdhjes të jashtme dhe të brendshme nga thyerja e ashtit të nofullës së poshtme- mandibullës, pastaj thyerje e brinjëve klavikulës së majtë, unazave të qafës, gjakderdhjes epidurale dhe subdurale në pjesën e pasme të trurit të madh dhe në trurin e vogël, si dhe këputjes parciale të palcës së kurrizit në qafë, të njëjtit pastaj e dërgojnë në Spitalin e Përgjithshëm në Emergjencën e Ferizajt dhe largohen nga aty”, u shpreh Avdiu.