Danimarka dhe vizat

Shkruan Demush Shasha:

Danimarka është një nga vendet kundër liberalizimit të vizave për Kosovën. Danimarka ka një nga politika më të ashpëra kundër azil-kërkuesve. Për shembull masa më ekstreme ishte projekti “Ishulli Lindhollm” – projekti në kuadër të cilit qeveria kishte propozuar që të dërgojnë azilkërkues që janë dënuar për vepra penale në ishull të izoluar ku paraprakisht ishin bërë eksperimente laboratorike për sëmundjet infektive, siç është gripi i derrave. Po ashtu, Danimarka kishte kaluar Ligjin Kundër Ferexheve dhe “Ligjet e Getos” – legjislacion i cili ka synuar që të “modernizoj” lagjet kryesisht të banuar me imigrantë. Qëndrimi i Qeverisë Danimarkës në fushën e migrimit është portretizuar ndoshta më së miri nga vet Ministrja për Imigracion, znj. Inger Støjberg, kur ajo kishte postuar si preferencën e saj për background të Ipad-it: karikaturën e profetit Muhamed. E njëjta ministre kishte shkruar në op-ed se punonjës publik Mysliman në Danimarkë do të duhej të merrnin pushim gjatë Ramazanit në mënyrë që mos të ndikojnë negativisht në vlerat e Danimarkës.

Sidoqoftë, kjo është histori. Me 5 qershor 2019 u mbajtën zgjedhjet parlamentare në Danimarkë. Zgjedhjet u fituan nga Social Demokrat, të prirë nga znj. Mette Frederiksen. Një nga shtyllat e fitores së tyre ishin edhe qëndrimet e ashpëra në fushën e migrimit.

Pas 20 ditëve negociata sot znj. Frederiksen ka arritur të formoj shumicën e nevojshme në Kuvend. Ndër çështjet më të vështira gjatë negociatave ishin çështjet e ndërlidhura me politikat e migrimit. Znj. Frederiksen dhe partia e saj kanë qëndrime shumë të ashpëra sa i përket hapjes së kufijve të Danimarkës dhe Schengenit.

Këto janë disa nga qëndrimet e saja:

1. Nën udhëheqjen e saj, partia kishte votuar “Ligjin e Stolive Personale”. Ligji kishte jap të drejtë autoriteteve që të konfiskojnë gjërat e çmueshme siç janë stolitë personale refugjatëve dhe azilkërkuesve që hyn në Danimarkë. Ata e arsyetuan këtë ligj pasi që stolitë do të shiteshin për të financuar qëndrimin e azilkërkuesve në Danimarkë. Kjo u krahasua me politikat e Nazistëve dhe u kritikua ashpër nga OSBE, Këshilli I KB-së për Drejtat e Njeriut, Human Rights Watch, etj.

2. Po ashtu, e votuan Ligjin Kundër Ferexheve, dhe “Ligjet e Getos”;

3. Znj Frederiksen si deputete ka bërë thirrje që azilkërkuesit duhet të nënshtroheshin punës së detyruar publike për të kompensuar përfitimet nga sistemi social i Danimarkës;

4. Gjatë fushatës së fundit, znj. Frederiksen ka propozuar që të mbyllen të gjitha qendrat e imigracionit dhe të zhvendosen të gjithë imigrantë në qendrat në Afrikë të Veriut.

Negociatat për formësimin e shumicës qeverisëse prej 20 ditëve ishin më të gjata çysh nga viti 1988. Kjo ishte po thuaj kryesisht për shkak se partitë e koalicionit kanë insistuar që Kryeministrja e ardhshme znj. Frederiksen të mos zbatoj disa nga masat më ekstreme të saja kundër imigrantëve. Kjo ishte shumë vështirë për znj. Frederiksen pasi që mbi këto politika ka marr votat prej ekstremit të djathtë. Se cilat koncesione ka bërë znj. Frederiksen dhe si do të duken politikat e Danimarkës sa i përket hapjes së kufijve do të duhet të presim edhe pak që te kuptojmë. Por një gjë është e qartë – qeveria e ardhshme e Danimarkës nuk do gëzohet kur të filloj diskutimi i liberalizimit të vizave për Kosovën në Bruksel.