Dalin pamje të reja të rrahjes brutale në Universitetin e Prishtinës, të përfshirë anëtarë të PD-së së Shqipërisë VIDEO

Dy anëtarë të Forumit Rinor të Partisë Demokratike në Shqipëri: Oleg Hanku dhe Valter Meshi, janë përfshirë në sulmin fizik që ndodhi pasditen e së mërkurës në Universitetin e Prishtinës.

Hanku dhe Meshi, dy anëtarë të Partisë Demokratike të Lulzim Bashës, së bashku me persona të tjerë sulmuan dhjetëra aktivistë të shoqërisë civile në Kosovë.

Një video të cilën e ka publikuar më parë Insajderi, shfaq grupin e personave që dyshohet se vijnë nga Shqipëria, duke sulmuar aktivistët e shoqërisë civile dhe lëvizjeve studentore të Kosovës në ambientet e Fakultetit Filozofik të UP-së.

Aktivistët e lëvizjeve studentore kosovare po planifikonin të mbanin një diskutim mbi gjendjen e tmerrshme të sindikatave të punëtorëve në Shqipëri, në veçanti të Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Minierës së Bulqizës – të cilët ankohen se janë të shtypur nga oligarku Saimir Mane.

Të ftuar në këtë diskutim ishin Arlind Qorri, udhëheqës i Organizatës Politike në Tiranë dhe një sindikalist nga Bulqiza.

Ballkani.info ndërkohë ka siguruar një video tjetër të përleshjes.

Pikërisht prania e Arlind Qorrit, udhëheqësit të një organizate politike me bindje të majta, dyshohet të ketë qenë arsyeja e revoltimit të anëtarëve të Forumit Rinor të Partisë Demokratike.

Insajderi ka biseduar me Oleg Hankun, njërin prej personave të përfshirë në sulmin fizik.

Ai ka thënë se arsyeja e ballafaqimit fizik ndërmjet dy grupeve në UP ka qenë pjesëmarrja e Arlind Qorrit në këtë diskutim.

“Unë jam student në Prizren dhe sot ndodhesha në Kosovë për çështje të mia të shkollës. Të them të drejtën duke patur parasysh agresionin e ushtruar nga neokomunistet e Organizatës Politike në Tiranë, para dy javësh dhe në vijim të kërcënimeve të tyre dhe duke qenë se ata po tentojnë të rikthejnë komunizmin ne Shqipëri, kisha dëshire sot të ballafaqohesha me drejtuesit e OP në Universitetin e Prishtinës”, ka thënë Hanku.

Ai ka thënë se “pasi u njoha përmes rrjeteve sociale për një aktivitet që ata organizonin sot në Prishtinë, shkova drejt Universitetit për tu takuar dhe ballafaquar me ta nga afër dhe për t’i pyetur se përse po fusin dhe bëjnë politikë nëpër fakultete si në Tiranë dhe Prishtinë dhe u agresova sërish.”

Hanku ka mohuar të ketë lidhje me biznesmenin multi-milioner shqiptar, Saimir Mane. Ka thënë se edhe ai mbështet sindikatat e punëtorëve të Minierës së Bulqizës.

Oleg Hanku, në shtatorin e vitit 2018 ishte arrestuar nga Policia e Shqipërisë pas një padie të ngritur ndaj tij nga Erion Veliaj, Kryebashkiaku i Tiranës. Hanku, në një aksion simbolik, e kishte gjuajtur me vezë Veliajn.

Ndërkaq, Durim Jasharaj, aktivisti i shoqërisë civile, i cili ishte njëri nga viktimat e këtij sulmi, ka thënë se sulmuesit dyshohen të jenë njerëz të kontrolluar nga Saimir Mane, oligarku nga Shqipëria.

Në një bisedë me Insajderin të mërkurën në mbrëmje, Jasharaj është shprehur se grupi i sulmuesve përbehej nga rreth dhjetë persona.

Ai ka thënë se para se të kryenin sulmin, ky grup ka vendosur posterë kundër mbajtjes së një prezantimi lidhur me sindikalizmin në Shqipëri, të organizuar nga aktivistë të shoqërisë civile e të lëvizjeve studentore.

“Ne e kemi organizuar një takim për sindikalizmin në Shqipëri. Diku kanë qenë rreth dhjetë persona, të panjohur. Këta kanë ardhur dhe kanë vendosur postera me shenjën ‘X’, kundrejt mysafirëve që i kemi pasur ne. Kanë filluar të na kërcënojnë, të na shajnë dhe dikur më vonë na kanë sulmuar edhe fizikisht”, ka rrëfyer Durim Jasharaj për Insajderin. /Ballkani.info/