Një person ka mbetur i vdekur në Gjilan, pas një përleshje me thikë që ka ndodhur ditën e sotme në një kafiteri, ndërkaq i dyshuari është arrestuar nga Policia e Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, konfirmoi për Telegrafin se tashmë kanë arrestuar një person të dyshuar.

“Sot me 24 qershor 2021 rreth orës 13:15 Policia e Kosovës në Gjilan është njoftuar për një rast ‘Therrje me thikë’. Njësitet relevante të policisë së Kosovës kanë dalë me urgjencë në vendin e ngjarjes. Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe mjeku kujdestar ku vetëm ka mundë me e konstatu vdekjen e viktimës i moshës madhore. Policia e Kosovës e ka arrestuar një person i cili dyshohet të jetë i involvuar në këtë rast të rëndë”, tha ai.

Pamje nga momenti i arrestimit të të dyshuarit, ka publikuar portali Demokracia të cilat mund t’i shihni më poshtë.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka dhënë detaje të reja në lidhje me vrasjen në Gjilan.

“Gjatë ditës së sotme, rreth orës 13:30 minuta, në një kafiteri në Gjilan, në afërsi të shkollave të mesme, dyshohet se i dyshuari B.Z., ka privuar nga jeta tani të nderin I.C. Prokuroria njofton se për shkak të një mosmarrëveshje i dyshuari B.Z., me mjet të mprehtë – thikë, i ka shkaktuar lëndime vdekjeprurëse të ndjerit I.C., ndërsa motivet për këtë ngjarje ende nuk dihen”, thuhet në komunikatë.

Personi i dyshuar me urdhër të prokurorit është arrestuar dhe ndaj tij është lëshuar vendim mbi ndalim për 48 orë, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale ‘’Vrasja e rëndë’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Telegrafi/