Dalim pamje të reja nga sulmi që e eliminoi liderin e ISIS-it

Presidenti amerikan Joe Biden ka njoftuar se ushtria amerikane e ka vrarë liderin e ISIS-it, Abu Ibrahim al-Hashimi al-Qurayshi në një sulm kundër terrorizmit në Siri. Bëhet fjalë për pasardhësin e Abu Bakr al-Baghdadit, i cili u vra në një operacion të ngjashëm në vitin 2019.

“Forcat speciale amerikane kryen me sukses një mision kundër terrorizmit në Sirinë veriperëndimore të mërkurën mbrëma, duke eliminuar liderin e ISIS-it Abu Ibrahim al-Hashimi al-Qurayshi”, thuhet në një deklaratë të Joe Biden të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë.

Të paktën 13 persona u vranë në sulm, duke përfshirë gjashtë fëmijë dhe katër gra. Bomba që vrau civilët u shpërthye nga një udhëheqës i ISIS-it, thonë zyrtarët amerikanë. Këtë e ka konfirmuar presidenti amerikan, Joe Biden, kur iu drejtua publikut nga Shtëpia e Bardhë.

Fotografitë e shtëpisë së sulmuar nga amerikanët tregojnë se kati i tretë i shtëpisë është shembur plotësisht. Sipas Joe Biden dhe zyrtarëve amerikanë, bomba që shpërtheu në katin e tretë të shtëpisë u shpërthye nga vetë lideri i ISIS, duke vrarë veten dhe familjen e tij.