Daka tregon se pse po u pamundësohet votimi disa të shtrirëve në spitale

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka në një konferencë për media ka folur edhe për personat që janë të shtrirë nëpër spitale, nga të cilët ka pasur ankesa se nuk po u mundësohet e drejta e tyre për të votuar.

Daka ka përmendur afatin që ka qenë për regjistrimin e votuesve, ndërsa ka theksuar se te të gjithë ata që janë regjistruar, ekipet mobile të KQZ’së ua kanë mundësuar votimin.

“Më duhet të ju njoftoj se për të gjithë ata që kanë qenë të shtrirë në institucione shëndetësore, për tu regjistruar si votues afati ka qenë deri më 11 shkurt. Te të gjithë ata që janë regjistruar si votues me nevoja të veçanta kanë shkuar ekipet. Ne jemi të vetëdijshëm që nga data 11 ka pasur persona tjerë që janë shtruar në spitale, mirëpo është procedura që së pari kërkon të regjistrohen si votues e pastaj të votojnë si persona me nevoja të veçanta”, ka thënë ajo.

Paraprakisht, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, përmes një njoftimi për media tha se pacientëve të shtrirë në QKUK nuk po u mundësohet votimi.