Daka i kundërpërgjigjet Gjuriqit: Udhëzimet e KQZ-së janë obligative për komisionerët

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka reaguar ndaj deklaratave të drejtorit të së ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i cili ka thënë se komisionerët në vendvotime në të gjitha komunat me shumicë serbe do i njohin të gjitha dokumentet për identifikim.

“Serbët ballafaqohen me diskriminim brutal, e mënyra e vetme ta mposhtim është sfida masovike. U bëj thirrje të gjithë serbëve nga Kosova që janë në listat e votuesve, pa marrë parasysh se çfarë dokumentacioni posedojnë, ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre”, ka deklaruar Gjuriq për “RTS”.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se udhëzimet e miratuara në KQZ janë obligative për të gjithë dhe se të gjithë komisionerët që nuk do e respektojnë udhëzimin për përdorim të dokumenteve për identifikim do të kenë konsekuenca juridike.

Sipas saj, qytetarët e Kosovës do të mund të votojnë vetëm me dokumente identifikuese të Republikës së Kosovës.

“Ia përkujtoj të gjithëve, sidomos komisionerëve dhe të gjithëve në Republikën e Kosovës se udhëzimi i KQZ-së është i obligueshëm për përdorimin e dokumenteve për identifikim, pra në ditën e zgjedhjeve si dokumente të identifikimit do të përdoren ato që janë cekuar në udhëzim. Ndërkaq të gjithë komisionerët të cilët nuk e zbatojnë këtë udhëzim do kenë konsekuenca e po ashtu edhe ato vendvotime do kenë konsekuenca juridike varësisht nga ajo që ndodh në ato vendvotime”, tha Daka.

Ndërsa, anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, tha se Beogradi përmes Listës Serbe është duke bërë presion dhe po shantazhon qytetarët serb që jetojnë në Kosovë dhe subjektet politike serbe që janë në garë në zgjedhjet e 6 tetorit.

Rrustemi u ka bërë thirrje institucioneve të sigurisë në Kosovë të jenë më aktive dhe të krijojnë një mjedis të mirë që të gjitha partitë politike aktivitet e tyre elektorale t’i zhvillojnë në një frymë demokratike.

“Është shqetësuese komplet atmosfera politike dhe elektorale në komunat me shumicë nga komuniteti serb në jug dhe veri duke iu cenuar dukshëm pluralizmi politik dhe e drejta e secilit qytetar për të manifestuar bindjet e tij politike dhe duke u cenuar aktiviteti i lirë i subjekteve tjera politike nga komuniteti i njëjtë elektoral. Është për të ardhur keq që po përsëritet i njëjti skenar dhe i njëjti presion sikurse në zgjedhjet e 2017-ës. Nga ana e Beogradit e për fat të keq nëpërmjet Listës Serbe presion dhe shantazh i drejtpërdrejt ndaj qytetarëve serb dhe ndaj subjekteve tjera serbe për të pamundësuar zgjedhje të lira”, tha ai.

Kurse, anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Ilir Gashi, tha se komunitet serb duhet të jetë imun ndaj këtyre tentimeve nga Beogradi, derisa theksoi se KQZ do jetë vigjilent karshi çdo situate të mundshme.

“Nuk i bënë nder madje as vend komunitetit serb që deklarata të tilla të tentojnë ta cenojnë procesin nuk dua të besoj se do jetë deri në atë masë, por natyrshëm që si institucion do të shkoj në përputhje me ligjet, rregullat të cilat i ka vendosur karshi këtij procesi. Mekanizmat tonë do ta mbrojnë deri në fund votën e secilit qytetarë dhe mendoj se vetë komunitet, vetë komuniteti serb do të duhet të jetë imun karshi përpjekjeve për t’ia cenuar vetë të drejtën atyre që janë për tu zgjedhur. Do jemi vigjilent karshi çdo situate të mundshme, dhe do të kryejmë detyrat dhe obligimet tona bazuar në ligj dhe rregullat që i kemi përcaktuar”, tha Gashi.

Në këtë mbledhje të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u akredituan edhe 432 vëzhgues të tjerë, ku numri i plotë i vëzhguesve është 34 mijë 435 vëzhgues./KsP/

loading…