Daka: Certifikimi i rezultateve në fund të kësaj jave, ose në fillim të javës së ardhshme

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, ka treguar se vonesa për shpalljen dhe certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 6 tetorit po ndodh për shkak se KQZ-ja është e detyruar t’i zbatojë urdhrat e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), të cilët kërkojnë rinumërime të kutive pas ankesave të kandidatëve apo partive politike.

Ajo po ashtu foli edhe për çështjen e helmimeve të zyrtarëve të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve (QNR) nga zarfet e ardhura nga Serbia, për çka tha se e ka zbehur ecurinë e mbarë të gjithë procesit zgjedhor.

“Helmimi është çështje e prokurorisë. Ajo është që duhet të deklarohet pasi të kryhen hetimet. Ajo që ka ndodhur ka qenë shumë e pahijshme, e ka vë në hije të gjithë procesin që ka qenë i shkëlqyeshëm, i vlerësuar nga të gjithë, dhe pa fajin tonë, sepse ato zarfe kanë qëndruar aty me ditë dhe çuditërisht janë helmuar pas një kohe të gjatë”, tha Daka, në emisionin Zona B në Klan Kosova.

“Nuk ka rregullore dhe as terminologji për votat e helmuara, ato për neve kanë qenë zarfe me vota dhe ashtu i kemi trajtuar dhe për siguri të atyre që i kanë numëruar është dashur që të vishen ashtu me ato rroba të ‘astronautëve’. Janë dukur shumë keq, e pranoj. Në asnjë vend në botë nuk ka pas rast që në atë formë të numërohen votat, por edhe kjo ndodhi në Kosovë dhe kjo la shije shumë të keqe”.

Sipas saj, e vetmja zgjidhje është reforma zgjedhore. “Ne si KQZ kemi mundësi ta japim ekspertizën tonë, të tregojmë se ku çalojnë këto procese dhe pse ndodhin këto që po ndodhin”.

“Nuk është e KQZ forca që i rregullon rezultatet. Sepse po dëgjomë gjëra të çuditshme që nuk përkojnë me realitetin”.

“Jam mësuar me ofendimet, por unë nuk mundem t’i plotësojë askujt dëshirat apo të jemi të kapshëm për të gjithë. Por fatkeqësisht edhe nëpër media ka pasur shumë sulme ndaj KQZ-së,  ka pas titujt bombastik dhe teksti brenda nuk ka pasur asgjë. Këtu shihet se shumë media nuk e kuptojnë procesin zgjedhor, nuk e kuptojnë se kush është PZAP-i, kush është KQZ-ja. Ne nuk vendosim për rinumërim, por ne i zbatojmë urdhrat e PAZP”.

“Nuk e shoh se ka nevojë për rivotim diku. Ne fund të rivotimit do t’i kemi rezultatet. Nga përvoja ime si kryetare e KQZ-së deri më tani e them se nga proceset e rinumërimeve tek kandidatët ka mundur të ketë ndryshime, se ka raste që për 10 vota plus dikush të bëhet deputet, ndërsa te subjektet politike, përveç aty ku ka dallime të vogla mund të ndodh diçka nga rinumërimi”.

“Sot është dita e shtatë e rinumërimit dhe me këtë tempo që është duke shkuar shpresoj që deri në fund të kësaj jave apo fillimi i javës së ardhshme do të jemi të gatshëm që t’i certifikojmë rezultatet”.

“Pra, të jemi të qartë edhe njëherë që këto që po ndodhin janë për shkak të procedurave ligjore të cilat ne jemi të obliguar që t’i zbatojmë”, ka deklaruar Daka.

loading...