‘Daja’ nga Gjakova, personi i gjashtë i arrestuar për grabitjen milionëshe në Rinas

I arrestuari për bashkëpunim me persona të tjerë në grabitjen e Rinasit, Alkond Bengasi, kishte vendosur të bashkëpunojë me drejtësinë disa ditë pas kapjes.

Bengasi kishte pranuar fajësinë për bashkëpunim dhe pjesëmarrje në organizim, duke treguar kështu edhe detaje të tjera të ngjarjes.

Sipas raportimeve, i dyshuari kishte thënë se grupi ka bashkëpunuar edhe me një person nga Kosova, të cilit iu kanë referuar me nofkën ‘Daja’ dhe kishte rreth 50 vjeç.

Ballkani.info kishte raportuar ditë më parë rreth dyshimeve për përfshirjen e një kosovari nga Gjakova në grabtjen spektakolare në Rinas.

Lajmin për Ballkani.info e kishte konfirmuar edhe Policia e Kosovës duke mos dhënë detaje të hollësishme, por që kanë thënë se janë në bashkëpunim të plotë me policinë shqiptare rreth këtij rasti si dhe rasteve të tjera.

Në anën tjetër, ditën e sotme është raportuar edhe për arrestimin e personit të gjashtë të dyshuar për grabitjen në Rinas.

I arrestuari është pikërisht ‘Daja’ nga Kosova rreth të cilit ishte raportuar ditë më parë se kishte marrë pjesë në grabitje.

Policia nuk është deklaruar ende zyrtarisht rreth rastit. /Ballkani.info