DailyMail

‘DailyMail’ shkruan për ngjarjen famëkeqe të videos kompromentuese të Princ Lekës dhe Elia Zahariajt në Shqipëri

E përditshmja britanike DailyMail i ka kushtuar vëmendje ngjarjes së fundit që ka tronditur shoqërinë shqiptare, duke përfshirë një përplasje fizike mes Trashëgimtarit të Kurorës shqiptare, Leka II, me ish-gruan e tij, Princeshën Elia dhe babain e saj 73-vjeçar, Gjergj Polikron Zaharia.

Sipas raportimit të DailyMail, ky incidenti ka ndodhur në kontekstin e një procesi divorci dhe ka përfunduar me shpërndarjen në rrjetet sociale të një videoje ku duket se tre personat janë përfshirë në një përleshje fizike. Princi Leka II, 41 vjeç, pretendon se ka qenë viktima e një sulmi me “objekte të forta” nga ana e ish-bashkëshortes dhe ish-vjehrrit të tij.

Princesha Elia, gjithashtu 41 vjeçare, ka thyer heshtjen ndaj kësaj ngjarjeje të cilën e ka përshkruar si “të tmerrshme” dhe ka theksuar se përfshirja e saj në përleshje ka qenë vetëm në përpjekje për ta ndaluar atë.

Ajo është shprehur se konflikti nuk ka pasur të bëjë me të, përveç faktit që ka tentuar të intervenojë dhe se tani po ndjek rrugët ligjore për zgjidhjen e çështjes.

Oborri Mbretëror Shqiptar ka reaguar ndaj ngjarjes përmes kanaleve të rrjeteve sociale, duke akuzuar policinë për rrjedhjen e pamjeve të video-së. Në një deklaratë zyrtare, thuhet se Princi Leka u sulmua më 5 mars dhe se videon e ka dorëzuar vetëm në stacionin e policisë si provë materiale për dhunën e ushtruar ndaj tij.

Oborri Mbretëror ka shprehur gjithashtu zhgënjimin e thellë ndaj institucioneve për zbatimin e ligjit për shkeljen e dyshuar të së drejtës për anonimitetin.

Ky incident ndodh pas shpalljes zyrtare të divorcit të çiftit mbretëror në janar të këtij viti.

Ata ishin martuar në vitin 2016 dhe kanë një vajzë, Princeshën Geraldine, të lindur në 2020. Pavarësisht se froni mbretëror shqiptar u shpërbë në vitin 1943, Princi Leka dhe ish-bashkëshortja e tij patën fituar zemrat e publikut që nga lidhja e tyre, me një ceremoni martese të madhe që u ndoq nga më shumë se 20 familje mbretërore nga e gjithë bota.

DailyMail rendit ngjarjen si një nga ato që kanë shkaktuar ‘shok’ në Shqipëri, duke përcjellë një histori që ka tërhequr vëmëndjen jo vetëm në vendin e origjinës por edhe ndërkombëtarisht.