Daçiq: Tërheqja e njohjes së Kosovës është projekt shtetëror

Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiq tha sot se ai pretendoi me përgjegjësi të madhe morale, politike dhe penale se askush në Serbi nuk kishte marrë ndonjëherë para nga individë privatë për një fushatë për të tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Daçiq i bëri komentet në emisionin Happy Tv me rastin e deklaratës së nënkryetares së Partisë së Lirisë dhe Drejtësisë, Marinika Tepiq e cila tha se Serbia po e financon këtë fushatë me para nga tregtia e armëve, transmeton Klan Kosova.

“Ky është një projekt shtetëror dhe gjithçka bëhet përmes institucioneve,” tha kryediplomati serb.

Ai thotë se e kupton që dikush e urren presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe atë, por se nuk e kupton që mund ta urrejnë aq shumë Serbinë, dhe se sipas tij “qëllimi i deklaratës së Tepiqit është të kompromentojë procesin që po punon Serbia, që është tërheqja e njohjes së pavarësisë së Kosovës”.