Daçiq: Seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB’së për Kosovën mbahet me 31 tetor

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha sot se seanca e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të diskutuar situatën në Kosovë do të mbahet më 31 tetor.

Sipas tij, kjo seancë do të mbahet “përkundër përpjekjeve të Prishtinës për ta shmangur mbajtjen e saj”.

“Është definitive që seanca do të mbahet më 31 tetor në Këshillin e Sigurimit të KB dhe unë do të marr pjesë në të. Në fund të fundit përfaqësuesit e Prishtinës informuan se do të merrnin pjesë në seancë”, tha kryediplomati i Serbisë për Tanjug.

Kosova për momentin ende nuk ka krijuar institucionet e reja pasi ende nuk është shpallur rezultati përfundimtar i zgjedhjeve nga KQZ’ja. Nëse mbledhja e KS të OKB’së për Kosovën mbahet sipas planit, atëherë qeveria në detyrë duhet të zgjedhë një përfaqësues për vendin tonë.