Daçiq: Presidenti ynë do të bëjë gjithçka për ta qetësuar situatën në Kosovë

“Situata në Kosovë është shumë dramatike dhe konfirmon se Albin Kurti është faktori kryesor i destabilitetit”, ka deklaruar për portalin serb “kosovoonline” ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq, duke pretenduar se mesazhet e bashkësisë ndërkombëtare ishin të ashpra, por më e rëndësishme është se  çfarë do të pasojë nga kjo.

“Situata në Kosovë është shumë dramatike dhe tregon se kemi pasur të drejtë gjatë gjithë këtyre viteve kur kemi thënë se Kurti është faktori kryesor i destabilitetit, se është një fuçi baruti që mund të ndezë gjithë rajonin”, ka thënë Daçiq, duke vazhduar se ka “një sërë aktesh të njëanshme të terrorit kundër popullit serb, arrestime, tentativa për vrasje dhe vrasje, bllokadë të mallrave serbe”.

“Kemi bastisje të përditshme të grupeve të armatosura, që është “në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit”. Tani kemi tentime për ndalimin e dinarit në Kosovë dhe ndërhyrje në institucionet serbe në Kosovë. E gjithë kjo na sjell në dilemë nëse komuniteti ndërkombëtar është faktori që duhet të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin, nëse ka rolin e paraparë me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Marrëveshjen e Brukselit, apo qëllimi është që të qetësohet Beogradi në mënyrë që Prishtina t’i arrijë më lehtë qëllimet e veta”, ka pretenduar ai.

Daçiqi ka theksuar se kur bëhet fjalë për deklaratat verbale të bashkësisë ndërkombëtare, siç është ajo e djeshme nga BE-ja dhe SHBA, duhet të shikohet se çfarë pason pas kësaj.

“Natyrisht, këto deklarata verbale, me përpjekje për të akuzuar të dyja palët, janë mjaft të ashpra në raport me regjimin e Kurtit për momentin. Megjithatë, nëse do të jetë efektive varet vetëm nëse Kurti do t’i dëgjojë kundërshtimet e tyre. Nga praktika e deritashme kemi pasur shembuj që ai absolutisht nuk reagon ndaj presioneve që vijnë nga jashtë sepse e di se ka mbështetjen e disa vendeve, në radhë të parë të Gjermanisë, për të bërë të vetën”, ka shtuar Daçiq.

Daçiqi ka theksuar se “kjo e komplikon edhe më shumë situatën dhe për shkak të kësaj presidenti ynë Aleksandar Vuçiq ka thënë se Serbia do të kërkojë një seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si dhe se do t’u dërgojë një letër të gjithë anëtarëve të këtij trupi të Organizatës Botërore dhe të gjithë anëtarëve të BE-së, “për t’i informuar” për situatën dhe pozitën e papranueshme dhe të pamundur të popullit serb në Kosovë”.

“Serbia në krye me presidentin tonë do të bëjë të gjitha përpjekjet diplomatike për të qetësuar situatën në Kosovë dhe për të vazhduar dialogun. Jemi të përkushtuar për paqe dhe dialog, por sigurisht që nuk do të lejojmë shkeljen e të drejtave themelore të njeriut të popullit serb në Kosovë”, ka pretenduar Daçiq, në stilin e tij tashmë të njohur të servilizmit ndaj shefit të tij.