Daçiq: Po të ishte Ashton, do t’ia impononte Kosovës krijimin e Asociacionit

“Do të ishte e papërgjegjshme që Beogradi ta tërhiqte nënshkrimin e tij nga marrëveshja e Brukselit, megjithëse është e vështirë të kesh një marrëveshje që parashikon formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, e cila nuk respektohet”, tha kryetari i Parlamentit të Serbisë, Ivica Daçiq, i cili nënshkroi marrëveshjen tetë vite më parë, raporton Tanjug.

Ai i tha K1 se Beogradi nuk do të bëjë ndonjë lëvizje që mund të jetë logjike dhe e arsyeshme për sa i përket zemërimit se pse marrëveshja e Brukselit nuk u zbatua, sepse, shtoi ai, kjo do të ishte e papërgjegjshme.

“Marrëveshja e Brukselit u nënshkrua për shkak të atyre dispozitave në lidhje me formimin e Asociacionit të komunave serbe. Është e sigurt se askush as nuk mendoi se do të vinin vitet kur ju jo vetëm që do ta injoronit, por edhe Prishtina do të refuzonte për ta pranuar atë marrëveshje”, tha Daçiq.

Ai deklaroi se nuk ka dyshim se Catherine Ashton, nëse do të qëndronte në pozicionin e Përfaqësueses së Lartë të BE-së do ta impononte çështjen e krijimit të Asociacionit sepse disa gjëra nga ajo marrëveshje nuk janë realizuar.

Ai gjithashtu tha që Ashton përfaqësonte një autoritet të caktuar si në BE ashtu edhe në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe se Serbia kishte fatin e keq që ajo u “ndryshua” praktikisht në fund të atij viti pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit.

“Por ne nuk duhet të interesohemi për këtë. Ne jemi të interesuar për autoritetin e BE-së. Nëse Catherine Ashton e nënshkroi atë si një garantuese në emër të BE-së, atëherë nuk është problem i Serbisë kush do të jetë Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politika e Punë të Jashtme dhe të Sigurisë”, tha Daçiq.

Ai beson se Bashkimi Evropian duhet të shqetësohet për autoritetin që ka kur bëhet fjalë për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit.

“Kështu, ata konfirmuan që autoriteti i tyre është praktikisht zero dhe në atë kuptim, shtrohet çështja e përshtatshmërisë së negociatave të mëtejshme me Prishtinën”, tha Daçiq.