Daçiq organizon referendum për ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë

Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, sonte ka kërkuar të organizohet referendum për ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë më 16 janar të vitit tjetër.

Ai ka thënë se kërkesat për ndryshime i referohen vetëm pjesës për zgjedhjen e gjykatësve dhe prokurorëve dhe se këto ndryshime nuk kanë të bëjnë asgjë me preambulën e Kushtetutës së Serbisë që i referohet Kosovës si pjesë e Serbisë, raporton Tanjug, transmeton lajmi.net.

“Qëndrimi ynë është i qartë: Kosova  është pjesë e Serbisë. Referendumi nuk ka të bëjë asgjë me çështjet që së fundmi janë politizuar e që janë shfrytëzuar për shkelje brutale të ligjit”, ka thënë Daçiq.

Ai ka thënë se Ministrja e Drejtësisë së Serbisë, Maja Popoviq, gjatë debatit në Kuvend ka thënë se ndryshimet e Kushtetutës në sektorin e drejtësisë, do të ndihmonin edhe më shumë reformat në sistemin legjislativ, të cilat do të ndihmonin progresin e Serbisë drejt integrimit evropian.

Daçiq ka bërë thirrje për të gjithë qytetarët që të dalin dhe të votojnë në referendum.

“Ne besojmë se është në interesin e Serbisë që të konfirmojnë vendosmërinë e parlamentit dhe që të bëjnë një hap të madh drejt rrugëtimit evropian, por gjithashtu do të ishte hap i madh edhe për reformat që kanë nisur tash e sa vite”, ka thënë Daçiq.

Ai ka thënë se në referendum nuk do të ketë ndonjë fitues, pasi që nuk janë zgjedhje por vetëm një veprim në interes të Serbisë