Daçiq në stilin e tij: Nëse s’është e saktë që po tërhiqen njohjet, pse Kosova po ankohet?

“Nëse tërheqjet e reja të njohjeve për Kosovën nuk janë të sakta, siç thonë në Prishtinë, pse janë ankuar për këtë”, ka pyetur sot ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq.

Autoritetet kosovare janë ankuar në institucionet ndërkombëtare për shkak të sjelljes së Serbisë në raport me Kosovën dhe trysninë që po i bën vendeve të ndryshime për tërheqjen e njohjes, ndërsa Serbisë i është kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të ketë kujdes si sillet në raport me Kosovën.

“Është e dukshme se kjo ju dhemb më së shumti, sepse vlerësojnë se gjithçka është zgjidhur dhe vazhdimisht flasim për ato 116 vende që e kanë njohur Kosovën. Pra, le të vazhdojnë që të besojnë në përralla edhe më tej. Asgjë s’po flas me hamëndësim, të gjitha këto janë nota të shkruara, dhe jo vetëm që nëntë vende e kanë tërhequr njohjen, por ky numër edhe më tej do të rritet”, ka thënë ai, transmeton Ballkani.info.

Duke folur për qëndrimin e SHBA-ve për Kosovën, Daçiq thotë se është arritur përparim në raportet me Uashingtonin, sepse sipas tij, amerikanët tash lejojnë një lloj zgjidhje kompromisi.

“Megjithatë, ata edhe më tej vlerësojnë se Kosova është shtet i pavarur dhe se ne po e rrënojmë dialogun, sepse po bëjmë thirrje për tërheqjen e vendimit për pavarësi”, ka thënë ai. /Ballkani.info/